Nëna e akuzuar nga ish-vjehrra se ka braktisur fëmijët, Blerina Basha, ka dhënë një deklaratë me zë, ku mohon kategorikisht këto pretendime dhe sqaron se situata e rëndë ka ardhur si pasojë e mungesës së kushteve minimale të jetesës. Ajo thekson se ka qenë e vetme në përkujdesjen ndaj tre fëmijëve të mitur, pa asnjë mbështetje familjare apo institucionale, ndërsa në banesën ku jetonin nuk kishte as ujë, çka e bënte të pamundur garantimin e higjienës dhe kushteve bazë.
Blerina Basha kishte refuzuar kategorikisht të qëndronte nën të njëjtën çati me ish-bashkëshortin e saj, pavarësisht insistimit të këtij të fundit që ajo të qëndronte në Itali për hir të fëmijëve. Ajo ka deklaruar se ndarja mes tyre ishte përfundimtare dhe se nuk mund të bashkëjetonte më me të, duke e konsideruar të pamundur rikthimin në një marrëdhënie familjare, edhe pse kjo do të lehtësonte kujdesin për tre fëmijët e mitur.
Në deklaratën e saj, Basha shprehet se ka punuar me dy turne për të mbajtur fëmijët, pasi nuk kishte alternativë tjetër për të siguruar të ardhura. Ajo sqaron se ish-bashkëshorti ka ofruar vetëm një ndihmë minimale financiare, e pamjaftueshme për tre fëmijë, dhe se nuk mund të jetonte me të pasi janë të ndarë. Sipas saj, mungesa e ujit, pamundësia për t’i çuar çdo ditë fëmijët në shkollë dhe presioni ekonomik e kanë përballur me një situatë të papërballueshme.
Basha shton se ka kërkuar ndihmë nga institucionet vendore dhe shërbimet sociale, duke i informuar për kushtet e vështira dhe për problemet shëndetësore të fëmijëve, por sipas saj nuk ka pasur asnjë reagim konkret. Ajo thekson se nuk i ka braktisur kurrë fëmijët dhe se gjithçka ka bërë ka qenë për t’i mbajtur pranë dhe për të siguruar mbijetesën e tyre, në mungesë të çdo ndihme reale.