Lokali “O Gyros tou Asirmatou” në Greqi, ku në orët e para të mëngjesit të sotëm mbetën të plagosur babë e bir shqiptarë, 39-vjeçari Negri Sinovarfaj dhe babai i tij 70-vjeçar, rezulton i përfshirë në një dosje të rëndë kriminale të një operacioni të zhvilluar në dhjetor 2024, ku u arrestuan 24 persona, mes tyre 14 shqiptarë, të përfshirë në trafik ndërkombëtar droge dhe ngjarje të rënda kriminale. Sipas dosjes, lokali i tipit “Steakhouse” figuron zyrtarisht në pronësi të shoqërisë “K SALATI N SINOVARFAJ O.E.”, ndërsa pronar i fshehtë rezulton 34-vjeçari nga Vlora, Andon Salati, banues në Nea Smyrni të Athinës, i njohur edhe me pseudonimet “Sal”, “Salah” dhe “Toni”.
Andon Salati, i arrestuar në kuadër të dosjes “SkyECC”, konsiderohet nga autoritetet greke dhe europiane si një nga krerët e një grupi kriminal në bashkëpunim me Denis Grabockën, duke përdorur platformat e kriptuara “Sky ECC” dhe “Encrochat”. Pjesë e këtij grupi ka qenë edhe Aleksandër Sadikaj nga Memaliaj, i ekzekutuar në Tiranë në vitin 2022 nga një eksploziv i vendosur në makinë. Grupi dyshohet për trafik marijuane dhe kokaine nga Spanja dhe Shqipëria drejt Greqisë. Salati është ndaluar në shkurt 2016 në Kakavijë me 148 mijë euro cash që tentonte t’i fuste në Shqipëri, ndërsa nga viti 2018 deri në 2020 ka qenë i burgosur në Koridhalo si drejtues i një grupi që shpërndante drogë në Athinë dhe Mykonos, duke vijuar aktivitetin kriminal edhe nga burgu përmes komunikimeve të kriptuara.
Në mesazhet e zbardhura, Salati komunikonte nga burgu me Fotio Mplantoumi-Sioho, i burgosur në Francë, duke përshkruar kushtet luksoze në paraburgim, përdorimin e celularëve, televizorëve inteligjentë, routerëve të internetit dhe marrëdhëniet e ngushta me gardianë, përfshirë raste korrupsioni, përdorim droge dhe futje femrash në burg nga një “kryegardian”. Salati dhe Denis Grabocka rezultojnë gjithashtu pronarë të fshehtë të kompanisë së makinave me qira “CARENT” në Athinë, me 50 automjete dhe 18 motorë, të regjistruara në emra familjarësh, të përdorura nga anëtarë të organizatës për lëvizje dhe mbulim ligjor, si dhe të lidhura me kompaninë “I GO RENTAL”, e krijuar në vitin 2017 në Mykonos, kur Salati ishte ende aktiv para arrestimit të tij në vitin 2018.