Një zonjë e moshuar i është drejtuar redaksisë sonë për të denoncuar një rast shqetësues, ku sipas saj dhe familjarëve, dhuna familjare dhe vendime të dyshimta gjyqësore kanë vënë në rrezik sigurinë dhe pronën e saj.
Sipas denoncimit, rreth një vit më parë e moshuara është dhunuar fizikisht nga vajza e saj, e cila dyshohet se ka pasur si qëllim përvetësimin e banesës ku jeton nëna. Pas kallëzimit në komisariat, shqyrtimit të pamjeve filmike dhe kryerjes së ekspertizës mjeko-ligjore, oficeri i policisë gjyqësore ka vendosur dhënien e një urdhri mbrojtjeje në favor të të moshuarës.
Çështja ka përfunduar edhe në Gjykatë, ku me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit është përcaktuar qartë se vajza e zonjës, në cilësinë e të pandehurës, nuk lejohet të hyjë në banesën e nënës së saj, e cila konsiderohet viktimë e dhunës.
Megjithatë, sipas familjarëve, situata ka marrë një kthesë të papritur dhe të pashpjegueshme. Ata denoncojnë se gjyqtarja e Shkallës së Parë, Alma Kodraliu, ka dalë mbi vendimin e Apelit, duke lejuar sërish të pandehurën Etleva Gribizi të futet në pronën e të moshuarës, në kundërshtim të hapur me vendimin e formës së prerë dhe urdhrat ekzistues të mbrojtjes.
Familjarët ngrenë akuza të rënda ndaj gjyqtares Kodraliu, duke pretenduar për një marrëdhënie të papërshtatshme dhe të ngushtë me avokatin e palës tjetër. Sipas tyre, janë paraqitur disa ankesa pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD), por deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim konkret.
E gjendur përballë kësaj situate, e moshuara i bën thirrje institucioneve kompetente të ndërhyjnë urgjentisht. Në ankesën e saj, ajo shprehet se gjyqtarja Alma Kodraliu ka marrë vendime të gabuara dhe të padrejta mbi pronën e saj, ka vendosur gjoba të paligjshme, ka refuzuar në mënyrë të përsëritur pranimin dhe shqyrtimin e provave dhe ka mbajtur një qëndrim të papërshtatshëm, sfidues dhe joetik gjatë seancave gjyqësore.
Zonja kërkon fillimin ose përshpejtimin e hetimit disiplinor ndaj gjyqtares, marrjen e masave të menjëhershme disiplinore dhe caktimin e një gjyqtari tjetër për të garantuar një proces të drejtë dhe të paanshëm.