Rreth 60 punonjës të Ndërmarrjes së Gjelbërimit kanë dalë sot në protestë përpara Bashkisë së Vlorës, duke kundërshtuar ndryshimet e fundit në strukturën e drejtorive. Shkak për reagimin e tyre është bërë bashkimi i Drejtorisë së Pastrimit me atë të Gjelbërimit në një të vetme.
Sipas punonjësve, kontrata e re e punës i detyron ata të kryejnë edhe punë pastrimi, përveç detyrave të gjelbërimit, ndërsa theksojnë se nuk u është prezantuar zyrtarisht as kontrata dhe as kushtet e reja të punës. Ata shprehen se, nëse nuk pranojnë këto kushte, rrezikojnë largimin nga puna dhe se kërkohet të jenë në gatishmëri 24 orë për situata të ndryshme.
Punonjësit deklarojnë se do të vijojnë protestën dhe nuk do të rikthehen në punë deri në arritjen e një marrëveshjeje me bashkinë. Ata kërkojnë ruajtjen e sektorit të gjelbërimit si strukturë më vete dhe heqjen e presionit për nënshkrimin e kontratave të reja, duke e cilësuar situatën si të padrejtë dhe kërcënuese për vendet e tyre të punës.