Gati 2,5 miliardë dollarë llogaritet të jetë dëmi ekonomik i shkaktuar nga përmbytjet në Shqipëri gjatë 30 viteve të fundit. Megjithatë, asnjë përfaqësues i institucioneve përgjegjëse për mirëmbajtjen e sistemit hidrik, vlerësimin e riskut dhe menaxhimin e emergjencave nuk ka dhënë llogari para drejtësisë dhe as është shpallur fajtor.
Fatura e dëmit bëhet publike në një raport të detajuar të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili ka analizuar përgjegjësitë në nivel qendror dhe lokal, nga Ministria e Bujqësisë deri te ndërmarrjet që administrojnë argjinaturat, sistemet kulluese dhe kanalizimet.
Gjetjet janë bërë publike pas auditimit të përmbytjeve të vitit 2024 në qytetin e Vlorës, ku janë shqyrtuar qindra dokumente që lidhen me hartëzimin e riskut, sistemin e kanalizimeve, funksionimin e hidrovorëve dhe kontratat e mirëmbajtjes së tyre. Raporti evidenton se kanalet kulluese nuk janë pastruar prej dekadash, ndërsa ngre pikëpyetje serioze mbi mungesën e një menaxhimi efektiv të riskut nga përmbytjet në nivel kombëtar.
Sipas KLSH-së, ky mosmenaxhim bie në kundërshtim me ligjin për mbrojtjen civile, sidomos në kushtet e ndryshimeve klimaterike. Raporti ekspozon gjithashtu ndërtimin e 3.285 objekteve pa leje në infrastrukturën ujitëse, kulluese dhe mbrojtëse, si dhe mungesën e bashkëpunimit ndërinstitucional në menaxhimin e situatave emergjente.
Që nga viti 1990, Shqipëria ka përjetuar të paktën tetë përmbytje të rënda. Ato përfshijnë përmbytjet e vitit 1995; shtatorin e vitit 2002, ku u prekën rreth 7.500 familje në Torovicë, Lezhë dhe Milot; përmbytjet e Drinit dhe Bunës në shkurt–mars 2004; përmbytjet nga Vjosa në dhjetor 2005; përmbytjet e Nënshkodrës në vitet 2010–2011, gjatë të cilave u evakuuan rreth 12 mijë persona; përmbytjet e Jugut në vitin 2015, ku u shkatërruan plotësisht 709 banesa; përmbytjet e nëntorit 2017 përgjatë rrjedhës së Vjosës, që dëmtuan 4.700 banesa; si dhe përmbytjet e viteve 2021 dhe 2024 në zonat e Lezhës, Shkodrës dhe Vlorës, me mijëra hektarë tokë të përmbytur, banesa e biznese të dëmtuara dhe rrugë të bllokuara.
Pavarësisht pasojave të rënda, drejtësia ka regjistruar vetëm dy hetime penale. Hetimi i parë lidhet me përmbytjet e vitit 2010 në Shkodër, pas hapjes së portave shkarkuese të hidrocentraleve të Vaut të Dejës, Komanit dhe Fierzës. Hetimet u pushuan, pasi ekspertiza teknike e specialistëve të hidrocentraleve e konsideroi hapjen e digave të justifikuar.
Hetimi i dytë, i cili vijon ende, është nisur së fundmi nga Prokuroria e Durrësit dhe lidhet me veprën penale të shkatërrimit të pronës nga përmbytjet, si dhe me dyshime për shpërdorim detyre gjatë menaxhimit të situatës emergjente.
Deri në këtë fazë, edhe për këtë çështje nuk ka ende persona të dyshuar.