JOQ Albania ka raportuar në mënyrë të përsëritur raste e abuzimit me çmimet në dyqanin e njohur të veshjeve “Zara”.
Qytetarë të shumtë kanë ngritur shqetësime lidhur me mospërputhjen mes çmimeve të afishuara në etiketa, ofertave promocionale të reklamuara nga Zara dhe çmimit real që aplikohet në momentin e pagesës.
Së fundmi, një qytetare ka denoncuar një tjetër rast shqetësues. Ajo shprehet se uljet sezonale të reklamuara gjerësisht nga Zara nuk janë reale dhe se konsumatorët duhet të tregojnë kujdes maksimal.
Në rastin konkret, qytetarja tregon se një palë pantallona të shkurtra shiteshin me çmimin promocional 4.990 lekë, ndërkohë që pas heqjes së etiketës rezultonte se çmimi fillestar ishte 3.990 lekë, duke ngritur dyshime serioze për manipulim të çmimeve.
Ky rast shton edhe një herë dyshimet mbi mungesën e transparencës në aplikimin e ofertave dhe mbi praktikat tregtare të ndjekura nga ky subjekt.
