Një situatë e rrezikshme është regjistruar në aksin rrugor që lidh Lushnjën me Peqinin, ku një pjesë e malit është shkëputur duke rënë mbi rrugë. Ngjarja, e filmuar nga një qytetar, krijon një situatë jashtëzakonisht të rrezikshme për drejtuesit e automjeteve.
Fatmirësisht, shoferi që udhëtonte në atë moment arriti të shmangte aksidentin. Megjithatë, rreziku mbetet i lartë për të gjithë ata që përdorin këtë rrugë, për shkak të mungesës së sinjalistikës dhe masave paraprake.
Qytetari që filmoi ngjarjen denoncon se Bashkia e Lushnjës, e drejtuar nga Eriselda Sefa, nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të hequr masivin e rrezikshëm ose për të vendosur tabela paralajmëruese për drejtuesit e automjeteve.
Ngjarja nxjerr në pah problematikat serioze infrastrukturore në këtë aks rrugor dhe thekson nevojën urgjente për ndërhyrje nga institucionet përkatëse, në mënyrë që të shmangen tragjedi të mundshme në të ardhmen.