Një qytetare nga Vlora, znj. Elida Komini, i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar publikisht një rast që ajo e cilëson si mashtrim dhe pabesi, pas një borxhi të dhënë në mirëbesim, i cili prej disa vitesh nuk është kthyer.
Sipas rrëfimit të saj, rreth tre vite më parë, një grua nga Tirana, e quajtur Fatbardha Thaçi, të cilën ajo e konsideronte shoqe, i ka kërkuar një shumë prej rreth 2 milionë lekësh të vjetra borxh, duke i thënë se i kishte ndodhur një fatkeqësi familjare dhe se nuk kishte mundësi të përballonte shpenzimet e ceremonisë mortore të nënës së saj.
Elida shprehet se, në mirëbesim të plotë, ajo dhe bashkëshorti i saj vendosën ta ndihmonin, duke i dhënë shumën e kërkuar. Sipas saj, huaja u dha me premtimin se paratë do të ktheheshin, madje me fjalët: “Bukë e kripë do ha, por lekët do t’ia kthej zotërisë”.
Megjithatë, pas marrjes së shumës, komunikimi me gruan në fjalë thuhet se u ndërpre. Elida pretendon se ajo u bllokua në rrjetet sociale dhe në telefon, ndërsa kontaktet e vetme të mbetura ishin përmes fëmijëve të saj, të cilët sipas denoncueses, herë pas here pranonin se borxhi ekzistonte, por se nuk kishin mundësi ta shlyenin.
Ajo shprehet se ka tentuar për një kohë të gjatë të kërkojë kthimin e parave, por pa rezultat. Sipas saj, situata u përkeqësua deri në atë pikë sa kjo hua ndikoi drejtpërdrejt në familjen e saj, duke sjellë konflikte serioze bashkëshortore dhe probleme të rënda financiare.
Elida thotë se, për shkak të mungesës së parave, është detyruar të marrë kredi për të mbuluar shumën e dhënë, kredi të cilën ende e shlyen çdo muaj. Ajo pohon se e gjithë kjo situatë e ka futur në një gjendje të rënduar psikologjike dhe shëndetësore.
“Nuk e akuzoj kot askënd. Unë i besova verbërisht dhe u zhgënjeva. Nuk dua asgjë tjetër, vetëm paratë e mia mbrapsht,” shprehet ajo, duke kërkuar që rasti të bëhet publik me shpresën se pala tjetër do të reagojë dhe do ta shlyejë borxhin.
Denoncuesja thekson se rasti i saj është real dhe se është e gatshme ta ndjekë çështjen në çdo rrugë ligjore apo publike, derisa të marrë drejtësi.