Banorët e fshatit Domje po përballen me një situatë të papranueshme dhe shqetësuese, pasi prej pesë ditësh, energjia elektrike ndërpritet për më shumë se 15 orë në ditë. Pavarësisht përpjekjeve të shumta për të kontaktuar OSHEE-n, qytetarët nuk kanë marrë asnjë përgjigje ose informacion zyrtar mbi arsyet e ndërprerjes apo kohën e riparimit të defekteve.
“Mungesa e energjisë po na shkakton vështirësi serioze në jetesën e përditshme. Nuk mund të përmbushim nevojat bazë, nga ngrohja deri te përdorimi i pajisjeve të domosdoshme në shtëpi,” shprehen banorët. Ata theksojnë se situata po krijon një situatë të papranueshme, duke e bërë jetesën në kushte normale thuajse të pamundur.
Pavarësisht pritjes së gjatë dhe ankesave të përsëritura, problemi mbetet i pazgjidhur, ndërsa qytetarët nuk kanë marrë asnjë njoftim zyrtar për shkakun e ndërprerjes apo afatin e riparimit.
Situata e krijuar hedh dritë mbi problemet e përsëritura me shërbimin e energjisë elektrike në zonat rurale, ku mungesa e përgjigjes dhe ndërhyrjes së shpejtë e rrezikon seriozisht jetesën e banorëve.
Qytetarët e Domjes bëjnë thirrje që OSHEE të marrë masat e menjëhershme për zgjidhjen e situatës dhe të sigurojë transparencë për qytetarët, duke i dhënë fund një përvoje problematike që duket se po përsëritet me vite.