Barcelona fitoi përballë Real Madridit në një finale spektakolare me pesë gola, duke triumfuar sërish në Superkupën e Spanjës, e zhvilluar në Jeddah të Arabisë Saudite.
Ndeshja u karakterizua nga një fund i çmendur i pjesës së parë, ku u shënuan plot tre gola brenda katër minutash, duke e kthyer takimin në një duel të hapur dhe dramatik.
Barcelona kaloi e para në avantazh në minutën e 36-të me Raphinha-n, por në minutat shtesë të pjesës së parë gjithçka u përmbys. Vinicius Jr barazoi në minutën e 45+2, duke shënuar golin e tij të parë pas 17 ndeshjesh, ndërsa vetëm dy minuta më pas Robert Lewandowski riktheu epërsinë për Barcelonën. Reali reagoi menjëherë, me Gonzalo Garcia që barazoi sërish pas një rrëmuje në zonë, duke vulosur një pjesë të parë dramatike.
Goli vendimtar erdhi në minutën e 73-të, kur Raphinha realizoi sërish, duke i dhënë Barcelonës fitoren dhe trofeun e 16-të të Superkupës së Spanjës. Në minutat shtesë, Frenkie de Jong u ndëshkua me karton të kuq pas një ndërhyrjeje ndaj Kylian Mbappe.
Pavarësisht rasteve të vona nga të dyja skuadrat, Barcelona rezistoi deri në fund dhe siguroi titullin e dytë radhazi, diçka që nuk e kishte arritur që prej vitit 2011.
Skuadra e Hansi Flick e nis kështu vitin 2026 me trofe, duke konfirmuar formën e shkëlqyer dhe epërsinë ndaj rivalëve të përjetshëm.