Nëna braktis tre fëmijët: Tre ditë pa ngrënë dhe një muaj pa shkuar në shkollë

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 11.01.2026, 22:18

Tre fëmijë të mitur janë marrë në mbrojtje nga Shërbimi Social në Durrës, pas një rasti të rëndë neglizhence të raportuar nga fqinjët në zonën e Plazhit. Sipas të dhënave paraprake, fëmijët dyshohet se ishin lënë vetëm në banesë prej disa ditësh nga nëna e tyre, 33-vjeçarja Blerina B.

Ngjarja u sinjalizua pasi fqinjët dëgjuan të qarat e fëmijëve dhe ngritën shqetësimin pranë autoriteteve. Pas raportimit, Policia e Durrësit, në bashkëpunim me Zyrën e Mbrojtjes së Fëmijëve, ndërhyri menjëherë duke i marrë të miturit nën mbrojtje.

Sipas rrëfimeve të fëmijëve, ata nuk kishin shkuar në shkollë prej rreth një muaji, ndërsa tre ditët e fundit kishin mbetur pa ushqim. Siç shihet dhe në video, banesa ku ata ndodheshin rezulton pa asnjë përkujdesje.

Fillimisht, tre fëmijët u dërguan në Spitalin Rajonal të Durrësit për kontrolle mjekësore, ku ndodhen nën kujdesin e mjekëve. Më pas, ata janë sistemuar pranë Qendrës së Mbrojtjes së Fëmijëve, ku iu është siguruar ushqimi, veshmbathja dhe asistenca e nevojshme.

Policia ka nisur procedim penal ndaj shtetases Blerina B., për veprën penale “Keqtrajtimi i të miturve”, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.

Autoritetet bëjnë me dije se rasti është në ndjekje dhe po trajtohet me prioritet, ndërsa synimi kryesor mbetet garantimi i sigurisë dhe mirëqenies së fëmijëve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit