Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë një tjetër valë sulmesh hakmarrëse kundër grupit ekstremist ISIS në Siri, pas një pritë të përgjakshme muajin e kaluar ku u vranë dy ushtarë amerikanë dhe një përkthyes civil.
Sipas Komandës Qendrore të SHBA (CENTCOM), sulmet u kryen të shtunën rreth orës 12:30 me orën lokale amerikane, në bashkëpunim me forca partnere, duke goditur disa objektiva të ISIS-it në zona të ndryshme të Sirisë. Ushtria jordaneze konfirmoi më vonë se kishte marrë pjesë në këto operacione.
Këto sulme janë pjesë e një operacioni më të gjerë, i quajtur “Operation Hawkeye Strike”, i cili vjen si përgjigje ndaj sulmit të ISIS-it në Palmyra, ku humbën jetën rreshterët Edgar Brian Torres-Tovar dhe William Nathaniel Howard, si edhe përkthyesi civil Ayad Mansoor Sakat.
“Nëse dëmtoni ushtarët tanë, do t’ju gjejmë dhe do t’ju eliminojmë kudo në botë,” thuhet në deklaratën e CENTCOM, duke theksuar se mesazhi i SHBA mbetet i prerë ndaj grupeve terroriste.
Operacioni nisi më 19 dhjetor me një tjetër sulm të madh, ku u goditën rreth 70 objektiva të ISIS-it në Siri, përfshirë infrastrukturë dhe armë.
Prej vitesh, Forcat Demokratike Siriane, të udhëhequra nga kurdët, kanë qenë partneri kryesor i SHBA-së kundër ISIS-it. Megjithatë, pas rrëzimit të ish-presidentit Bashar Assad në dhjetor 2024, Uashingtoni ka shtuar koordinimin edhe me qeverinë qendrore në Damask. Së fundmi, Siria është bashkuar zyrtarisht me koalicionin global kundër ISIS-it.