Banorët e fshatit Dunic, në komunën Trebinjë, bashkia Pogradec, denoncojnë një situatë shqetësuese që po vijon prej tre ditësh, pasi rruga kryesore e fshatit është shembur, duke e lënë zonën plotësisht të izoluar.
Sipas banorëve, pavarësisht njoftimeve dhe thirrjeve të vazhdueshme, asnjë institucion përgjegjës nuk ka ndërhyrë deri më tani për të hapur rrugën apo për të vlerësuar rrezikun që paraqet situata. Si pasojë, lëvizja është bërë e pamundur, duke vështirësuar ndjeshëm jetën e përditshme të banorëve.
Situata konsiderohet veçanërisht e rëndë për fëmijët, të cilët çdo ditë duhet të shkojnë në shkollë, ndërsa rruga e shembur përbën rrezik serioz për sigurinë e tyre.Ata theksojnë se Bashkia Pogradec dhe strukturat përkatëse nuk kanë dhënë asnjë përgjigje, duke i lënë banorët pa zgjidhje dhe në pasiguri të plotë.
Banorët e Dunicit kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për hapjen e rrugës dhe zgjidhjen e problemit, përpara se situata të përkeqësohet më tej dhe të rrezikojë jetën e tyre.
JOQ Albania i bën thirrje institucioneve përgjegjëse të reagojnë sa më shpejt dhe të marrin masa konkrete për garantimin e sigurisë, lëvizjes dhe jetesës normale të banorëve të kësaj zone.