Policia e Vlorës ka finalizuar një operacion njëmujor, nën drejtimin e Prokurorisë së Vlorës, duke zbuluar një ambient të përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike në qytetin e Sarandës.
Sipas njoftimit zyrtar, ambienti i kthyer në “shtëpi bari” ndodhej në rrugën “Butrinti”, në katin e gjashtë të një pallati në zonën e njohur si “Turizmi”. Brenda apartamentit ishin instaluar llamba ndriçimi dhe pajisje të tjera të posaçme, të përdorura për kultivimin e kanabisit në kushte të mbyllura.
Gjatë operacionit, policia ka kapur në flagrancë një shtetas nga Tirana, i cili dyshohet se kujdesej për kultivimin e bimëve narkotike. Nga kontrolli në ambient u sekuestruan rreth 250 bimë kanabisi, një pjesë në proces mbjelljeje dhe një pjesë tjetër në tharje.
Personat e përfshirë janë shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë për veprime të mëtejshme procedurale. Ndërkohë, është bërë e ditur se apartamenti ku zhvillohej aktiviteti i paligjshëm është në pronësi të një shtetasi nga Tepelena.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht këtë veprimtari dhe për të identifikuar persona të tjerë të mundshëm të përfshirë.