Iran: Mbi 500 viktima në protesta, Trump paralajmëron ndërhyrje, Teherani kërcënon SHBA dhe Izraelin

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 11.01.2026, 20:10

Numri i viktimave nga protestat e dy javëve të fundit në Iran ka kaluar shifrën 500, sipas të dhënave të Human Rights Activists News Agency (HRANA), një organizatë me bazë në SHBA. Sipas saj, të paktën 538 persona kanë humbur jetën, mes tyre 490 protestues dhe 48 pjesëtarë të forcave të sigurisë, ndërsa mbi 10 mijë persona dyshohet se janë arrestuar.

Shifrat nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur dhe autoritetet iraniane nuk kanë publikuar bilance zyrtare, duke i cilësuar protestuesit si “traziraxhinj” të nxitur nga faktorë të jashtëm.

Në këtë klimë tensioni, presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se po shqyrton disa opsione ndaj Iranit, përfshirë edhe mundësinë e ndërhyrjes ushtarake, nëse dhuna ndaj protestuesve vijon. “Më mirë të mos filloni të qëlloni, sepse do të fillojmë edhe ne”, është shprehur Trump më herët, duke shtuar se SHBA është e gatshme të mbështesë protestuesit.

Pas këtyre deklaratave, reagimi nga Teherani ka qenë i ashpër. Kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Baqer Qalibaf, ka paralajmëruar se bazat ushtarake amerikane në rajon dhe Izraeli do të konsideroheshin “objektiva legjitime” në rast të një sulmi ndaj Iranit. Ai theksoi se vendi i tij nuk do të kufizohej vetëm në reagim pas një goditjeje.

Nga ana e tij, presidenti iranian Masoud Pezeshkian ka akuzuar SHBA-në dhe Izraelin për përpjekje për të nxitur kaos në vend, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar masa edhe më të ashpra ndaj protestuesve. Situata mbetet e paqartë, ndërsa bllokimi i internetit e vështirëson verifikimin e pavarur të zhvillimeve në terren.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit