“E shiti si flori, por doli argjend i larë”, pronari: Kthe paratë mbrapsht!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 11.01.2026, 18:58

Një pronar argjendarie në Tiranë, i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të raportuar një rast të dyshuar mashtrimi, që sipas tij ka ndodhur në ambientet e biznesit që ai administron.

Sipas tij, një person është paraqitur në argjendarinë e cila ndodhet në rrugën e Dibrës, për të shitur një varëse që pretendohej të ishte prej ari.

Varësja mbante edhe kodin përkatës të floririt “585”, çka e ka bërë fillimisht të besohej se bëhej fjalë për ar të vërtetë.

Megjithatë, pas verifikimeve të mëvonshme, pronari thotë se ka rezultuar se varësja ishte në fakt prej argjendi, e veshur nga jashtë me flori.

Pronari shprehet se dyshon se rasti ka qenë i qëllimshëm, duke u bazuar në disa elementë, përfshirë edhe sjelljen e personit gjatë momentit të shitjes, i cili, sipas tij, shfaqej disi i nervozuar.

Po ashtu, ai pretendon se i njëjti person mund të ketë qenë i përfshirë në raste të ngjashme edhe në argjendari të tjera më parë.

Sipas deklarimeve të pronarit, objekte të tilla me kode të falsifikuara mund të blihen lehtësisht online me çmime të ulëta, nga platforma të ndryshme ndërkombëtare.

Ai ka dërguar edhe pamjet e kamerave të sigurisë së biznesit, ku shihet momenti kur personi në fjalë dorëzon varësen dhe merr shumën prej 470 eurosh.

Pronari thekson se aktualisht varësja ndodhet ende në argjendari dhe kërkon kthimin e shumës së paguar, duke shtuar se në të kundërt do t’i drejtohet organeve kompetente.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit