SPAK, dekonspirimi dhe firma e Prodës! Pse u largua Vilson Bala nga Durrësi?

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 11.01.2026, 14:59

Drejtori i Policisë së Durrësit, Vilson Bala, pritet të transferohet në qytetin e Korçës. Propozimi zyrtar për transferimin e tij është bërë, ndërsa pritet firmosja e urdhrit përkatës nga autoritetet kompetente. Aktualisht, Bala mban postin e drejtuesit të Policisë së Durrësit, ndërsa më herët ka mbajtur edhe detyrën e drejtorit të Operacionales. Ende nuk ka një njoftim zyrtar për pasardhësin e tij në Durrës, ndërsa Policia e Shtetit pritet të konfirmojë në ditët në vijim lëvizjet dhe emërimet e reja.

Emri i Vilson Balës nuk është i panjohur për opinionin publik, pasi gjatë vitit 2024 ai u mor në pyetje nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në kuadër të hetimeve për dyshime mbi dekonspirimin e një operacioni policor madhor. Hetimi lidhej me aksionin e 31 korrikut kundër të ashtuquajturës “banda e vëllezërve Çopja” në Elbasan, një operacion i zhvilluar në bashkëpunim me Europol, Eurojust dhe agjenci partnere ndërkombëtare, ku nga 33 urdhër-arreste të lëshuara nga GJKKO, vetëm 13 u ekzekutuan. Ky dështim ngriti dyshime serioze për rrjedhje informacioni të klasifikuar brenda strukturave të Policisë së Shtetit.

Në kuadër të këtij hetimi, përveç Balës, u pyetën edhe disa drejtues të tjerë të lartë të policisë, përfshirë ish-Drejtorin e Përgjithshëm Muhamet Rrumbullaku, i cili dha dorëheqjen pas marrjes në pyetje nga SPAK, si dhe drejtues të tjerë si Neritan Nallbati, Edmond Rizai dhe Ilir Prodën. Burime mediatike asokohe sugjeruan se lidhjet familjare të Balës, përfshirë faktin që motra e tij punon në SHISH, mund të kenë ndikuar në ecurinë e hetimeve, megjithëse zyrtarisht nuk pati asnjë masë penale ndaj tij.

Lart e poshtë po qarkullojnë zëra se së shpejti SPAK, tashmë me drejtues Klodian Brahon, pritet të dorëzojë fletë-arreste për drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, por jo vetëm dhe për drejtues të lartë politik, në vijim të disa hetimeve intensive. Në këtë kontekst, lind pyetja, a është ky ndryshim në radhët e Policisë së Shtetit, i firmosur nga Proda, thjesht një lëvizje administrative, apo një parapërgatitje?!

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit