Megjithëse kanë kaluar disa muaj nga ekzekutimi i Gilmando Danit dhe Muçi Shaljanit, autorët e atentatit ende nuk janë identifikuar nga organet e hetimit. Ngjarja e rëndë ndodhi në mes të ditës, pranë rrethrrotullimit të Rinasit, një zonë që konsiderohet ndër më të sigurta për shkak të afërsisë me aeroportin ndërkombëtar.
Ndërkohë, sipas raportimeve në media, pritet që në pyetje të merret edhe Emiljano Shullazi, i cili ndodhet aktualisht në burg dhe ka pasur lidhje miqësore me viktimën Gilmando Dani. Burime mediatike bëjnë me dije se Shullazi do të pyetet nëse ka dijeni apo dyshime për persona të caktuar që mund të kenë organizuar atentatin. Marrja në pyetje pritet të zhvillohet në ambientet e paraburgimit 313, ndërsa mbetet e paqartë nëse ai do të japë deklarime lidhur me ngjarjen.
Gilmando Dani po udhëtonte me automjet së bashku me Muçi Shaljanin në momentin kur u qëlluan për vdekje. Të dy sapo ishin kthyer nga Spanja, çka ka ngritur dyshime se grupi i atentatorëve ka pasur informacione të sakta mbi udhëtimin dhe kthimin e tyre në Shqipëri.
Sipas raportimeve në media, ditët e fundit janë marrë dëshmitë e disa personave që ndodheshin në zonën e Rinasit, ndërsa hetuesit dyshojnë se grupi kriminal mund të ketë pasur informatorë në aeroport, të cilët kanë njoftuar për lëvizjet e viktimave.