Në Pediatrinë e Shkodrës, shiu nuk ndalet te çatia, por vazhdon rrugën drejt korridoreve, sikur të ishte pjesë e protokollit zyrtar. Brenda spitalit, uji pikon lirshëm, duke treguar se infrastruktura është po aq e sëmurë sa pacientët që kërkojnë shërim aty.
Zgjidhja institucionale për këtë situatë emergjente është një legen plastik, i vendosur me krenari në mes të korridorit. Një simbol i qartë i menaxhimit nga Ministria e Shëndetësisë. Investimet mungojnë, por improvizimi lulëzon. ‘Çdo gjë është e mundur derisa bëhet e pamundur’, kështu do thoshte ministrja Evis Sala në këto raste.
Ndërsa fëmijët trajtohen mes lagështirës dhe kushteve të papërshtatshme, autoritetet zgjedhin të heshtin. Në një vend ku shëndeti i fëmijëve duhet të ishte prioritet absolut, pikat e shiut bëjnë më shumë zhurmë se çdo reagim zyrtar. Dhe kjo, fatkeqësisht, nuk është ironi, është realitet.