Reshjet e dendura të borës kanë shkaktuar probleme serioze në disa njësi administrative të Qarkut Dibër, duke izoluar fshatra të tëra dhe duke lënë dhjetëra familje pa energji elektrike prej ditës së djeshme. Në njësitë Lurë, Kala e Dodës, Selishtë dhe Muhurr, trashësia e borës ka kaluar mbi 40 centimetra, çka ka bllokuar rrugët dhe ka vështirësuar lëvizjen e banorëve, veçanërisht në zonat e thella malore.
Disa fshatra vijojnë të mbeten të izoluar, ndërsa situata paraqitet problematike për banorët që kanë nevoja urgjente. Në qytetin e Peshkopisë, bora ka arritur rreth 20 centimetra, ndërsa rruga nacionale Peshkopi–Kukës kalohet vetëm me zinxhirë dhe me vështirësi të mëdha për shkak të akullit dhe reshjeve të vazhdueshme.
Problem i rëndë mbetet edhe segmenti rrugor Ura e Çerenecit–Librazhd, i cili është aktualisht i pakalueshëm, duke shkëputur lidhjen me zonat përreth. Ndërkohë, ndonëse rruga Peshkopi–Tiranë paraqitet e qarkullueshme pa zinxhirë, në shumë zona rurale rrugët janë ende të bllokuara, ndërsa mungesa e energjisë elektrike vijon të rëndojë situatën për banorët e qarkut.