30-vjeçari Jurgen Karaj, i cili dyshohet se është marrë nga rrjedha e një përroi në fshatin Darsë të Klosit, ende nuk është gjetur nga autoritetet.
Kërkimet u përqendruan ditën e djeshme përgjatë shtratit të lumit Mat për disa orë, por u ndërprenë pas rënies së errësirës dhe kanë rifilluar sërish në orët e para të mëngjesit të sotëm, pa rezultate deri tani.
Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:30, kur një automjet tip Audi me targa angleze doli nga rruga dhe përfundoi në shtratin e përroit. Mjeti drejtohej nga 24-vjeçari Andi Loshaj, i cili u gjet dhe u kap disa orë më vonë nga shërbimet e policisë.
Nga testimi i alkoolit rezultoi se drejtuesi i mjetit ishte në gjendje të dehur në momentin e aksidentit. Në automjet dyshohet se ndodhej edhe Jurgen Karaj, shoku i Loshajt, i cili mendohet se është marrë nga rrjedha e ujit dhe ka humbur.