“Na ndihmoni, rrëshqitja e tokës po rrezikon jetën e prindërve të mi”

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 10.01.2026, 22:36

Një qytetare ka denoncuar për JOQ Albania një situatë tejet alarmante dhe kritike, ku dy prindërit e saj ndodhen në rrezik të madh për jetën, si pasojë e shembjes së tokës pranë banesës së tyre pranë rrugës Zall, në Selitë të Vjetër.

Sipas denoncimit, toka rreth shtëpisë është shembur në më shumë se gjysmën e saj, duke përfshirë një sipërfaqe rreth 2 dynymë. Mbi banesë ndodhet rruga, e cila ka pësuar çarje të thella dhe është në rrezik real për t’u shembur nga momenti në moment. Mbi rrugë ndodhen gjithashtu toka në terren të pjerrët, çka e shton edhe më tej rrezikun e rrëshqitjes masive të dheut.

Në banesë jetojnë vetëm dy prindërit, të dy të sëmurë rëndë. Babai ka kryer ndërhyrje bypass në zemër, ndërsa nëna ndodhet në gjendje shumë të rënduar shëndetësore dhe është në rrezik për infarkt, për shkak të stresit dhe frikës së vazhdueshme.

Qytetarja ndodhet jashtë vendit dhe për shkak të mungesës së dokumenteve nuk ka mundësi të kthehet pranë familjes, duke jetuar në ankth të vazhdueshëm për jetën e prindërve të saj. Ajo thekson se babai refuzon të largohet nga banesa, pasi aty ka kaluar gjithë jetën, pavarësisht rrezikut ekstrem.

Denoncuesja i bën thirrje urgjente institucioneve përgjegjëse që të ndërhyjnë menjëherë, pasi situata është kritike dhe kërkon evakuim të menjëhershëm për të shmangur një tragjedi të mundshme.

JOQ Albania u bën thirrje të menjëhershme autoriteteve, për të shmangur një rrezik serioz për jetën e dy qytetarëve të sëmurë, të cilët ndodhen të izoluar dhe të pambrojtur përballë një rreziku natyror në rritje.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit