Vlera e investimit të projektit të investimit “LIDL Shqipëria, që do të shërbejë si "Qendër Logjistike”parashikohet të jetë mbi 105,000,000 (njëqind e pesë milion) €.
Projekti i investimit synon të zhvillohet në një sipërfaqe totale prej 200.000 m2 , e cila ndodhet pranë zonës logjistike portuale në Porto Romano, Durrës, me seli dhe zyra qendrore në kompleksin Tirana Business Park.
"Lidl” që vjen ekskluzivisht për herë të parë në vend ka përfituar një koncesion për ndërtimin dhe menaxhimin e një terminali doganor, edhe pse infrastruktura bazë që është porti i ri, ende nuk ekziston... Kjo do të thotë se një infrastrukturë që nuk ka bazë ligjore dhe fizike po përdoret si alibi për t’i kaluar privatit një pjesë të rëndësishme të pronës shtetërore.
Një nga pikat më problematike lidhet me faktin se, sipas Kodit Doganor, një magazinë doganore nuk mund të klasifikohet si “investim strategjik” pa ekzistuar porti funksional. Megjithatë, pikërisht këtë status dyshohet se po përfiton projekti.
Brenda një rrezeje 5 kilometrash do të ndalohet çdo aktivitet tjetër i ngjashëm, duke i dhënë “Lidl” monopol absolut mbi zonën doganore dhe magazinat përreth.
Alarmin e ka ngritur ish-ministri Arben Ahmetaj pasi ka deklaruar se kompania ka marrë të drejtën e shfrytëzimit për 35 vite me rinovim automatik edhe për 35 të tjera, çka praktikisht i dorëzon një aset strategjik të shtetit një subjekti privat për afro 70 vite.
Sipas Ahmetajt, ndonëse kontrata ende nuk është firmosur, përfaqësues të “Lidl” kanë nisur punimet në terren. Paralelisht, qeveria ka proceduar me shpronësime të pronarëve privatë duke i justifikuar ato si “interes publik”, ndërkohë që projekti përfundon në shërbim ekskluziv të një kompanie private.
Ai bën thirrje për hetim nga SPAK se pas këtij projekti mund të fshihen interesa të errëta dhe emra të fuqishëm, ndërsa qytetarët e shpronësuar janë lënë pa zë dhe pa transparencë.
Në thelb, çështja “Lidl” po shihet si një tjetër rast ku ligji i investimeve strategjike përdoret si vegël për të kaluar prona dhe asete publike në duar private, pa garë reale, pa transparencë dhe në kundërshtim me frymën e interesit publik.