Banorët e fshatit Çiflik në Berat kanë dalë në protestë pas përmbytjeve të përsëritura të ditëve të fundit, duke akuzuar Bashkinë se po bllokon qëllimisht kanalin kullues për të devijuar ujin drejt fshatit të tyre, në mënyrë që të mos përmbyten zona të tjera.
Sipas banorëve, fshati është përmbytur tre herë brenda një muaji, ndërsa situata është përkeqësuar pasi punonjës të Bashkisë, në prani të Policisë, po hedhin zhavorr dhe inerte në kanal, duke e bërë të pamundur shkarkimin normal të ujërave.
“Na kanë lënë të mbajmë gjithë peshën e përmbytjeve. Kanali po mbyllet që të shpëtojnë fshatra të tjerë, ndërsa ne po mbytemi,” shprehen protestuesit.
Një banore deklaroi se ka tentuar të ndalojë mjetet që po bllokonin kanalin: “E mora në telefon kryetaren e Bashkisë, ma mbylli. I dola makinës para dhe u thashë se do shtrihesha këtu. Nuk kemi ku të shkojmë, po na mbytin.”
Tensioni mes banorëve është i lartë. Një tjetër protestues u shpreh me tone të ashpra ndaj autoriteteve lokale, duke akuzuar Bashkinë për korrupsion dhe mungesë përgjegjësie, ndërsa të tjerë thanë se në asnjë vend normal nuk mbyllen kanalet kulluese, por mirëmbahen për të shmangur fatkeqësi të tilla.
Banorët tregojnë se dikur ka ekzistuar një portë kontrolli për prurjet e lumit, por ajo nuk hapet më: “Është beton këtu, uji nuk ikën. Kemi insistuar ta hapin, por nuk na kanë lejuar.”
Sipas tyre, policia ka qenë e pranishme jo për të garantuar sigurinë e banorëve, por për të lehtësuar bllokimin e kanalit, gjë që ka shtuar edhe më shumë indinjatën.
Nga ana tjetër, Bashkia e Beratit nuk ka dhënë asnjë reagim zyrtar, as për arsyen e ndërhyrjeve në kanal dhe as për akuzat e banorëve, ndërkohë që këta të fundit paralajmërojnë se do të qëndrojnë në protestë për të mos lejuar bllokimin e mëtejshëm të kanalit.