Aksidenti i frikshëm: Shoferi ‘tapë’ humb kontrollin e mjetit, shpëtojnë mrekullisht kalimtarët

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 10.01.2026, 19:44

Një aksident i rëndë u shmang për pak mbrëmjen e së enjtes në zonën Indiranagar të qytetit Bengaluru, kur një shofer në gjendje të dehur humbi kontrollin e automjetit dhe u përplas me murin e jashtëm të një restoranti.

Ngjarja ndodhi rreth orës 23:35 në rrugën e frekuentuar “100 Feet Road” dhe u filmua nga kamerat e sigurisë. Pamjet, të cilat janë bërë virale në rrjetet sociale, tregojnë makinën që kapërcen ndarësen e rrugës dhe kalon vetëm pak centimetra larg një grupi kalimtarësh, të cilët për pak sa nuk u goditën.

Sipas policisë, automjeti tip Skoda drejtohej nga një 42-vjeçar, i identifikuar si Derrick Tony, i cili po lëvizte me shpejtësi të lartë nga “18th Main Road” në drejtim të “100 Feet Road”. Për shkak të shpejtësisë dhe dyshimeve për konsum alkooli, ai nuk arriti të merrte një kthesë majtas, duke hipur mbi ndarësen e rrugës.

Makina fillimisht goditi një motomjet të parkuar dhe më pas u përplas me murin e jashtëm të një restoranti Barbeque Nation, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Personat që ndodheshin jashtë lokalit fatmirësisht nuk u lënduan, ndërsa drejtuesi i motorit, i identifikuar si Jabir Ahmed, pësoi dëmtime të lehta dhe u dërgua në spital për ndihmë mjekësore.

Policia e trafikut në Bengaluru ka konfirmuar se drejtuesi ishte nën efektin e alkoolit në momentin e aksidentit. Automjeti është sekuestruar, ndërsa ndaj shoferit është regjistruar një procedim për drejtim të pakujdesshëm dhe të rrezikshëm. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit