“Bashkia e Korçës po helmon masivisht qentë e rrugës, e kishin mbushur makinën plot”

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 10.01.2026, 19:03

Një denoncim i rëndë ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga qyteti i Korçës, ku qytetarë të shqetësuar raportojnë një akt të rëndë dhe çnjerëzor ndaj kafshëve të rrugës.

Sipas denoncuesit, punonjës të Bashkisë Korçë dyshohet se kanë helmuar qentë e rrugës dhe më pas i kanë mbledhur ata në gjendje të rëndë, duke i hedhur në një kamioçinë të bashkisë. Kamioçina sipas qytetarit, ishte me ngjyrë portokalli dhe ishte e mbushur plot me qen të helmuar.

Pamjet e filmuara të cilat kanë mbërritur në redaksi, janë tejet tronditëse. Në video dëgjohen qentë duke rënkuar nga dhimbjet e forta, në momentet e fundit të jetës së tyre. Një prej tyre shihet duke u përpëlitur, në agoni, teksa ende ishte gjallë, përpara se të hidhej me forcë në mjet.

Denoncuesi shprehet se qentë ishin qartazi të helmuar dhe se vuajtja e tyre ka qenë e tmerrshme. Rënkimet dhe përpëlitjet tregojnë qartë dhimbjen ekstreme që po përjetonin këto kafshë, ndërsa askush nuk ndërhyri për t’u ofruar ndihmë veterinare apo për t’i trajtuar sipas ligjit.

Ky veprim ngre pikëpyetje të rënda mbi mënyrën se si institucionet vendore trajtojnë problemin e kafshëve të rrugës. Helmimi është një akt i ndaluar me ligj dhe përbën vepër penale, për të cilën parashikohen masa ndëshkuese.

JOQ Albania i bën thirrje Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë që të ndërhyjnë menjëherë dhe të hetojnë këtë rast, duke vënë para përgjegjësisë autorët e ktij krimi. Institucionet nuk mund të zgjidhin problemet duke ushtruar dhunë dhe mizori ndaj kafshëve të pafajshme. Qentë e rrugës nuk janë objekte për t’u eliminuar, por qenie të gjalla që duhen trajtuar me ligj, humanizëm dhe përgjegjësi.

Redaksia jonë publikon këtë artikull në bazë të pretendimeve të denoncuesit dhe apelon për reagim të menjëhershëm nga autoritetet.

Mesazhi i plotë i tij: “Përshëndetje, në Korçë punonjësit e Bashkisë po helmojnë qentë e rrugës. E kishin mbushur makinën plot me qen të helmuar. I bëj thirrje shtetit dhe Policisë të marrin masa ndaj këtyre punonjësve të Bashkisë për helmim ndaj kafshëve. Ju lutem shumë, publikoni videon. Anonim. Makina ishte ngjyrë portokalli.”

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit