Teksa Shqipëria po përjeton ditën e katërt radhazi me reshje intensive, përmbytje dhe bllokime infrastrukturore nga jugu në veri, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të publikojë pamje simbolike nga puna e borëpastrueseve dhe një mesazh urimi për “fundjavë të mbarë”. Ky komunikim optimist ka nxitur reagime dhe kritika, në një kohë kur mijëra qytetarë janë përballur me evakuime, humbje ekonomike dhe mungesë shërbimesh bazë.

Ndërsa qeveria këmbëngul se situata është “nën kontroll”, realiteti në terren tregon një panoramë krejt tjetër, me akse të dëmtuara, zona të izoluara dhe mungesë transparence mbi problematikat reale.
Qarku i Durrësit është ndër më të prekurit, ku janë evakuuar rreth 848 banorë nga zona të ulëta dhe mbi 800 banesa janë përmbytur. Në Sukth dhe Katund të Ri, rreth 2 800 hektarë tokë bujqësore vijojnë të jenë nën ujë, duke paralizuar plotësisht aktivitetin bujqësor. Një video e publikuar në media tregon një automjet të ushtrisë që ngec në ujë në qytet, pamje që nuk janë reflektuar në komunikimet zyrtare.
Në Shkodër janë përmbytur rreth 266 hektarë tokë bujqësore, kryesisht në Obot, Muriqan, Pentari dhe Velipojë. Rruga hyrëse për në Obot mbetet e kalueshme vetëm me mjete të larta, pasi niveli i ujit arrin deri në 50 cm mbi asfalt. Edhe pse Buna dhe Drini nuk kanë dalë nga shtrati, situata mbetet e brishtë dhe banorët janë në pritje të tërheqjes së ujit.
Në Mirditë, përmbytjet janë shoqëruar me dëme serioze infrastrukturore, veçanërisht në Kodër Rrëshen, ku lumi Fan i Vogël ka gërryer tokë bujqësore dhe ka rrëzuar shtylla të energjisë elektrike. Në fshatin Tarazh, lumi Zmeja ka nxjerrë në pah tubacionin e ujësjellësit, duke rrezikuar furnizimin me ujë dhe rrugën Rrëshen–Burreli. Autoritetet vendore pranojnë se projektet mbrojtëse ekzistojnë, por nuk janë zbatuar për mungesë fondesh.
Në qarkun e Fierit, tokat bujqësore në disa zona vazhdojnë të mbeten nën ujë, pavarësisht uljes graduale të nivelit të Vjosës. Ndryshe paraqitet situata në Seman dhe Shkumbin, ku prurjet janë në rritje dhe lumenjtë kanë dalë nga shtrati në disa segmente. Terreni i ngopur me ujë po pengon rikuperimin e tokave dhe rikthimin e fermerëve në punë.
Reshjet intensive kanë lënë pa energji elektrike rreth 1 800 abonentë në bashkitë Korçë, Maliq, Pogradec dhe Kolonjë, kryesisht në zona rurale. Në Maliq është dëmtuar argjinatura e lumit Devoll, duke rritur rrezikun për përmbytje të tjera, ndërsa në Pogradec lumi i Verdovës ka shembur një pjesë të rrugës. Rrëshqitje dherash janë regjistruar edhe në Çërravë, ku një banesë ndodhet pranë zonës së rrezikut.
Situata mbetet problematike edhe në disa akse kombëtare dhe rajonale, ku rrëshqitjet e dherave dhe gërryerjet kanë ngushtuar ose bllokuar rrugët. Qafë Dushk–Sevaster, Valare–Erind–Çajup, Korçë–Dardhë dhe Përmet–Tre Urat janë segmente me qarkullim të vështirësuar. Në zonat malore si Thethi, Vermoshi dhe Qafë Mali kërkohen zinxhirë dhe goma dimri, ndërsa ndërhyrjet mbeten të kufizuara.
Ndërsa rrjetet sociale ofrojnë pamje të kuruara, realiteti në terren vazhdon të tregojë se përballja me emergjencat natyrore mbetet e pambrojtur nga investime afatgjata dhe menaxhim efektiv. Në këtë kontrast mes propagandës dhe përditshmërisë, qytetarët mbeten të vetëm përballë pasojave.