‘Ka qenë në krye të detyrës’, familjarët e punonjësit që humbi jetën në Durrës hedhin poshtë pretendimet e Bashkisë

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 10.01.2026, 12:57

Pesë ditë pas ngjarjes tragjike të së martës, ku humbi jetën gjatë përmbytjeve në Durrës Astrit Hysenaj, 54 vjeç, familjarët e tij kundërshtojnë pretendimet e Bashkisë së Durrësit se viktima kishte lënë punën herët për shkak të motit të keq dhe se po kthehej në banesë në momentin kur u mor nga rrjedha e ujit dhe përfundoi në kanal.

Sipas të afërmve, Astrit Hysenaj kishte shkuar në punë që në orën 5:30 të mëngjesit, si çdo ditë tjetër, pavarësisht kushteve të vështira atmosferike.

“Daja u nis në punë në 5.30 si normalisht. Familja tentoi ta ndalojë për shkak të situatës, por ai shkoi. Shqetësimi ynë nisi pasi nuk u kthye në punë dhe bëmë denoncimin. Pamë nga kamerat se deri në 8.25 ka qenë duke punuar te mbikalimi i Plepave”, u shpreh mbesa e të ndjerit, Klodiana Bërsheni.

Familjarët theksojnë se Astrit Hysenaj ka qenë në krye të detyrës deri në momentet e fundit të jetës dhe kërkojnë që çdo provë filmike pas asaj ore të bëhet publike.

“Deri në momentin e fundit të jetës ka qenë në krye të detyrës. Nëse diku ka ndonjë pamje filmike pas kësaj ore, le t’i vënë në dispozicion”, tha Osman Hysenaj, djali i xhaxhait të viktimës.

Sipas të afërmve, kanali ku Astrit Hysenaj u gjet pa jetë ndodhet shumë pranë vendit ku ai është parë për herë të fundit nga kamerat e sigurisë.

“Kanali ku ka rënë është pranë vendit ku është parë për herë të fundit dhe rrjedha e ujit, kur të merr, të nxjerr aty ku u gjet. Nuk mund të përbaltet figura e tij duke thënë se nuk ka qenë në punë. Kërkojmë respekt për figurën e tij”, tha ndër të tjera mbesa e tij, Klodiana.

Pamjet filmike janë vënë tashmë në dispozicion të policisë për hetime të mëtejshme. Ndërkohë, familjarët kërkojnë edhe mbështetje ekonomike për familjen e viktimës, pasi Astrit Hysenaj ishte i vetmi që siguronte të ardhura. Sipas tyre, policia gjeti në xhepin e tij 10 mijë lekë të vjetra.

Të afërmit theksojnë se nuk fajësojnë askënd për ngjarjen e rëndë, por refuzojnë kategorikisht pretendimet se ai nuk ndodhej në punë në momentin e fatkeqësisë, duke e përshkruar Astrit Hysenajn si një njeri dhe punonjës korrekt, të përkushtuar ndaj detyrës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit