Shirat ranë pa pyetur askënd. Dhe si gjithmonë, gjetën shtetin në gjumë, institucionet në heshtje dhe politikanët gati… për konferencë justifikimesh. Përmbytje, rrëshqitje dherash, rrugë të çara, fshatra të izoluar, një panoramë që në çdo vend normal do të quhej emergjencë. Në Shqipëri quhet rutinë.
Në bashkitë Vlorë dhe Selenicë, banorë të tërë mbetën të bllokuar për ditë me radhë. JOQ Albania e ngriti alarmin: katër ditë pa rrugë, pa lidhje me qytetin, pa ndihmë. Katër ditë ku shteti nuk ekzistoi.
E në këtë mes, reagimi nuk mungoi. Reagoi deputeti i qarkut, i zgjedhur me votat e qytetarëve, i cili “u vu në sedër” dhe doli në terren. Jo për të dhënë zgjidhje. Jo për të kërkuar përgjegjësi. Por për të larë duart, për të shpërndarë fajin dhe për të bërë atë që di më mirë politika jonë: justifikime dhe propagandë.
Me një “vullnet të plotë”, deputeti Vullnet Sinaj na sqaroi se rruga qenka ndërtuar në kohën e demokratëve. Pra, sipas kësaj logjike brilante, çdo rrugë e prishur sot është faj i së shkuarës, ndërsa qeveria aktuale është thjesht spektatore e pafajshme. ARRSH? Kryetari i Bashkisë Selenicë? Janë “aty”, por duket se vetëm për dekor.
Ndërkohë, banorët e Sevasterit dhe ata të fshatit Lezhan vazhdojnë të qëndrojnë të izoluar. Nertilin askush nuk e ka parë gjëkundi. Ndoshta rrugët e bllokuara nuk janë pjesë e axhendës, ose ndoshta nuk sjellin mjaftueshëm para pë një kryebashkiak që drejton një bashki të vogël.
Dhe këtu lind një pyetje që qëndron pezull, si rruga e shembur mbi kokën e banorëve: Nëse do të ishte shembur rruga që çon te një filial Big Market, a do të ishte reagimi i njëjtë nga Vullnet Sinaj?Apo fadroma do të kishte mbërritur aty që në orët e para?