E përditshmja britanike The Telegraph i ka kushtuar një tjetër artikull 31-vjeçarit shqiptar Dorian Puka, duke e cilësuar atë si “kriminelin shqiptar që i mbulon vajzat me para”. Gazeta thekson se Puka përdor rrjetet sociale për të reklamuar hapur jetën e tij luksoze në klubet më të shtrenjta të Londrës, ndërsa njëkohësisht tallet me autoritetet britanike që nuk arrijnë ta deportojnë.
Sipas artikullit, megjithëse Puka ndodhet ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar dhe ka një të shkuar kriminale me dënime dhe deportime të mëparshme, ai vazhdon të shfaqet në ambiente VIP, duke hedhur shuma të mëdha parash dhe duke ekspozuar makina e ora luksoze. The Telegraph nënvizon se autoritetet janë të pafuqishme për ta larguar derisa kërkesa e tij për azil të shqyrtohet plotësisht.
Gazeta kujton se Dorian Puka është arrestuar disa herë për vjedhje me thyerje dhe ka arritur të shmangë kontrollet kufitare për t’u rikthyer në Britani. Aktualisht ai mban byzylyk elektronik dhe ndodhet nën masa imigracioni, ndërsa burimi i pasurisë së tij mbetet i paqartë, çka sipas The Telegraph ka shkaktuar zemërim dhe reagime të forta në opinionin publik britanik.