Lumi Fan del nga shtrati dhe gërryen 1 hektar tokë! Rrezikohen banorët e Kodër Rrëshenit

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 10.01.2026, 09:30

Reshjet e dendura që kanë përfshirë Mirditën gjatë orëve të fundit po krijojnë një situatë problematike në disa zona, me pasoja të drejtpërdrejta për banorët dhe infrastrukturën. Rrjedha e lumit Fan i Vogël ka vijuar gërryerjen e tokave bujqësore, duke zhdukur 1 hektar sipërfaqe toke dhe duke rritur rrezikun për pronat pranë shtratit të lumit, veçanërisht në fshatin Kodër Rrëshen.

Shtyllat u zhvendosën dhe energjia elektrike është rivënë në funksion, por rreziku mbetet i lartë pasi rrjedha vazhdon të kërcënojë edhe rrugën kryesore të fshatit. Probleme të ngjashme janë regjistruar edhe pranë fshatit Tarazh, ku gërryerja e shkaktuar nga lumi Zmeja ka nxjerrë mbi tokë tubacionin kryesor të ujësjellësit, duke vënë në rrezik edhe rrugën nacionale Rrëshen–Burrel.

Bashkia Mirditë po përballet me mungesë mjetesh për të ndërhyrë në kohë, çka po e vështirëson menaxhimin e situatës. Ndërkohë, në fshatin Simon, në lagjen Preçaj, rruga është dëmtuar dhe kërkon rehabilitim urgjent, ndërsa në Kodër Rrëshen ekziston rreziku real që rrëshqitjet e tokës të prekin edhe rrugët e lagjeve.

Situata mbetet shqetësuese për banorët, të cilët jetojnë nën frikën e përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të reja nëse bashkia nuk merr masa në kohë. Problematika kryesore mbetet ndërhyrja e vonuar dhe mungesa e kapaciteteve lokale për të përballuar një emergjencë që rrezikon toka, infrastrukturë dhe sigurinë e komunitetit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit