Shtetet e Bashkuara kanë prezantuar udhëzimet e reja ushqimore për vitet 2025–2030, duke sjellë një ndryshim të fortë në filozofinë e të ushqyerit dhe duke përmbysur piramidën klasike të ushqimit të vitit 1992. Modeli i ri, i quajtur “Piramida e Ushqimit të Vërtetë”, vendos në qendër ushqimet e plota dhe kritikon hapur produktet “shumë të përpunuara”.
Në modelin e ri, baza e ushqyerjes përbëhet nga proteinat, bulmeti me yndyrë të plotë dhe yndyrnat e shëndetshme, të cilat vendosen në të njëjtin nivel rëndësie me frutat dhe perimet. Më poshtë renditen drithërat integrale, ndërsa produktet e rafinuara dhe industriale këshillohet të shmangen sa më shumë.
Ndryshe nga udhëzimet e mëparshme, ku karbohidratet kishin rol dominues, tani rekomandohet rritje e ndjeshme e konsumit të proteinave. Të rriturit këshillohen të marrin nga 1.2 deri në 1.6 gramë proteina për kilogram të peshës trupore në ditë, krahasuar me 0.8 gramë që ishte më parë. Udhëzimet nxisin konsumimin e mishit, peshkut, vezëve, bulmetit, bishtajoreve dhe arrorëve, duke sugjeruar që një burim proteinash të jetë pjesë e çdo vakti.
Një tjetër element i ri është goditja direkte ndaj ushqimeve “shumë të përpunuara”, si produktet e gatshme, pijet me sheqer, ushqimet me ngjyrues artificialë, konservantë, aromatizues sintetikë dhe ëmbëlsues artificialë. Autoritetet shëndetësore amerikane këshillojnë ushqim të gatuar në shtëpi dhe sa më natyral, duke e lidhur ushqimin industrial me rritjen e sëmundjeve kronike.
Për herë të parë, udhëzimet përmendin edhe shëndetin e zorrëve dhe mikrobiomën, duke theksuar rëndësinë e fibrave, ushqimeve të fermentuara, frutave dhe perimeve për një florë të shëndetshme bakteriale.
Administrata amerikane argumenton se udhëzimet e reja bazohen në prova shkencore dhe synojnë të korrigjojnë dekada këshillash ushqimore që, sipas tyre, kanë përkuar me rritjen e obezitetit dhe diabetit. Të dhënat zyrtare tregojnë se rreth 75% e të rriturve amerikanë vuajnë nga sëmundje të lidhura me dietën.
Mesazhi kryesor i autoriteteve është i thjeshtë: më pak ushqim industrial, më shumë ushqim i vërtetë, por debati mbi balancën dhe pasojat afatgjata mbetet i hapur.