Qeveria i jep 10.5 MILIONË € izraelitit Yefetti dhe Ardi Veliut nga Buxheti i Shtetit

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 09.01.2026, 23:58

Një histori që nis me qindarka dhe mbyllet me MILIONA € euro ngre pikëpyetje serioze për mënyrën si po derdhen paratë publike nga taksat e qytetarëve për sektorin e mbrojtjes në Shqipëri.

Në vetëm tre muaj, nga shtatori deri në nëntor 2025, buxheti i shtetit ka transferuar mbi 10.5 MLN € drejt kompanisë Timak Defence, një shoqëri e sapokrijuar mes kompanisë shtetërore të prodhimit të armëve Kayo dhe një subjekti privat Timak pas së cilës qëndron izraeliti Ron Yeffet, mik personal i kryeministrit Edi Rama dhe një person nën hetim jashtë Shqipërisë nga struktura antikorrupsioni.

Më 29 shtator 2025, vetëm tre ditë pasi Kolegji i Mbrojtjes dhe Sigurisë vendosi instalimin e sistemit anti-dron C-UAS, Reparti Ushtarak 3001 transferon 6.1 MILION € në llogaritë e Timak Defence.

Asnjë informacion publik mbi procedurën e cila u mbajt e fshehtë, vlerën totale të kontratës apo kriteret e përzgjedhjes.

Vetëm një muaj më pas, më 29 tetor, lidhet një tjetër kontratë sekrete për blerjen e automjeteve taktike të transportit të lehtë. Dy ditë më vonë del fatura: 4.4 MILIONË €. Më 4 nëntor pagesa kryhet.

10.5 MILION € për një kompani që, deri në qershor, vlerësohej me 1000 €.

Skema e aksioneve: nga 490 euro në monopol shtetëror

Timak Defence është themeluar nga Kayo, kompani shtetërore e drejtuar nga ish-drejtori i Policisë, Ardi Veliu (20%) dhe Timak kompani private (80%). Brenda Timak, Ron Yeffet blen 49% të aksioneve për vetëm 490 € nga shtetasja Arjeta Puca, e cila deri më 17 qershor 2025 zotëronte 100% të kompanisë.

Kjo do të thotë se kompania private Timak është vlerësuar në 1000 €.

Por kjo kompani “prej 1000 eurosh”, sapo bashkohet me Kayo, përfiton 80% të aksioneve të një shoqërie që merr monopolin e furnizimit të ushtrisë, Gardës dhe Policisë. Sipas “rregullit të treshit”, kjo skemë nënkupton se kompania shtetërore e prodhimit të armëve është vlerësuar me 250 €.

Një absurd financiar që, në çdo vend normal, do të mjaftonte për një hetim penal.

Kush është Ron Yeffet dhe pse është problem për NATO-n?

Ron Yeffet është shtetas izraelit me pasaportë shqiptare, i përfshirë prej vitesh në aktivitete të dyshimta dhe i raportuar si nën hetim nga agjenci antikorrupsioni jashtë Shqipërisë.

Burime nga Tirana dhe Brukseli pohojnë se agjencitë europiane të sigurisë kanë rritur vëmendjen ndaj tij, për shkak të depërtimit në sektorin e mbrojtjes e lidhjeve të tij me nivelet më të larta të qeverisë.

Këtu nuk bëhet më fjalë vetëm për korrupsion, por për rrezik real ndaj sigurisë kombëtare dhe arkitekturës së NATO-s.

Kush e miratoi këtë skemë aksionesh ku shteti del i humbur? Pse kontratat janë sekrete dhe pa prokurim publik e pse një person nën hetim jashtë vendit lejohet të ketë akses në infrastrukturën më të ndjeshme të mbrojtjes?

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit