Një shqiptar që punon si përgjegjës sigurie në aeroportin e Milanos Malpensa i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania me një video-mesazh për të gjithë bashkatdhetarët që udhëtojnë drejt Italisë me avion.
Ai shprehet se e ndjen për detyrë të paralajmërojë veçanërisht të rinjtë, pasi kohët e fundit, sipas tij, policia kufitare italiane po kthen mbrapsht shumë udhëtarë për shkak të problemeve me biletat. Punonjësi sqaron se qytetarët që vijnë nga Tirana në Milano duhet të kenë patjetër edhe biletën e kthimit nga Malpensa në Tiranë, pasi pritja e biletave me destinacione të tjera sjell ndalim, mbajtje deri në 24 orë dhe humbje financiare.
Një tjetër apel i fortë i tij lidhet me trajtimin e prindërve të moshuar në aeroport. Ai u bën thirrje familjarëve që të paraqiten më herët dhe të kërkojnë asistencë për ta, duke theksuar se shërbimi i asistencës në aeroportin e Milanos është falas, pavarësisht kompanisë ajrore.
“Është e dhimbshme t’i shoh nënat dhe baballarët tanë të ecin qindra metra të ngarkuar e të lodhur, kur asistenca ofrohet pa pagesë,” shprehet ai, duke shtuar se mjafton të drejtohesh te info point për ndihmë.
Në fund, punonjësi thekson se do të vazhdojë t’i ndihmojë gjithmonë shqiptarët dhe t’u flasë në gjuhën shqipe sa herë që ka mundësi.