Në moshën 79-vjeçare, është ndarë nga jeta aktori dhe regjisori i mirënjohur shkodran, Edmond Mëhilli, një emër i shquar i skenës shqiptare dhe i Teatrit “Migjeni”.
Edmond Mëhilli lindi më 23 gusht 1947 në Shkodër. Pas përfundimit të Institutit të Lartë të Arteve në vitin 1970, ai nisi karrierën si regjisor në Pukë (1970-1974), ndërsa më pas punoi për 15 vjet në Estradën e Shkodrës (1974-1989). Përveç aktiviteteve në estradë, Mëhilli kontribuoi edhe në Radio Shkodra dhe Shtëpinë e Kulturës së rrethit të Shkodrës. Pas vitit 2003, ai iu përkushtua Teatrit “Migjeni”, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në skenën e qytetit.
Si regjisor, Mëhilli u dallua për shijen artistike dhe për profesionalizmin e tij. Ai solli në repertorin e Estradës së Shkodrës skeçin e gjatë dhe komedinë me një akt, duke punuar me kujdes me fjalën, gjestin dhe situatat komike. Ai synonte gjithmonë vërtetësinë e karaktereve dhe krijonte mizanskenë të përpiktë, pa lëvizje të tepërta, por gjithmonë efektive.
Shfaqjet e tij me titull “Ditë buzëqeshjesh” (1983-1984) fituan Çmimin e Parë, ndërsa një sezon më pas u vlerësuan si ndër më të mirat në takimet e humorit mes estradave profesioniste të zhvilluara në Shkodër. Edmond Mëhilli ka shkruar edhe disa pjesë skenike, ndër të cilat spikat drama “Një histori e thjeshtë”, ndërsa pas viteve 2000 ndër regjisurimet e tij më të njohura ishte “Ylli i mëngjesit”.
Me humbjen e Edmond Mëhillit, arti skenik shqiptar humbet një nga figurat më të ndritura dhe më të përkushtuara, një njeri që i dha Shkodrës dhe estradës shqiptare vlera të qëndrueshme artistike