Qiratë dhe ushqimet u rritën prapë, por shqiptarët rrinë në kafe

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 09.01.2026, 21:20

Në Shqipëri, çmimet rriten, qiratë fluturojnë dhe shporta ushqimore tkurret, por një gjë mbetet konstante dhe e palëkundur: shqiptarët rrinë në kafe. Me qetësinë e një populli që e ka normalizuar çdo krizë, rritja mujore e çmimeve kalon pa zhurmë, pa reagim dhe pa asnjë shqetësim kolektiv që të shkojë përtej tavolinës së kafenesë.

Sipas INSTAT, inflacioni në dhjetor 2025 arriti në 2.3%, në rritje krahasuar me një vit më parë. Por shifrat duken se nuk e trazojnë askënd. Qiratë, uji dhe lëndët djegëse kontribuan me gati 1% në inflacionin total, ushqimet me 0.56%, ndërsa bulmeti, mishi dhe produktet e detit u shtrenjtuan dukshëm. Frutat dhe perimet patën më pak “fat”, por gjithsesi nuk shpëtuan.

Në një vend normal, këto të dhëna do të shoqëroheshin me debat publik, presion qytetar apo të paktën ndonjë reagim kolektiv. Në Shqipëri, shoqërohen me një kafe tjetër, një ankesë të shkurtër dhe një fjali klasike: “Çmimet janë rritur, po ça t’bëjmë”.

INSTAT thekson se asnjë grup mallrash nuk ka shënuar rënie çmimi. Me fjalë të tjera, gjithçka shkon lart, përveç pagave dhe durimit. Viti 2025 u mbyll me inflacion mesatar 2.2%, nën objektivin e Bankës së Shqipërisë, por mbi nervat e çdo familjeje që përpiqet të paguajë qiranë dhe të mbushë frigoriferin.

Ndërkohë, baret dhe restorantet kontribuan gjithashtu në rritjen e çmimeve. Ironikisht, janë po këto ambiente që vazhdojnë të jenë plot. Qiratë rriten, ushqimet shtrenjtohen, por tavolinat janë gjithmonë të zëna. Revolta shtyhet për një ditë tjetër, ndoshta për pas kafeve.

Në fund, duket se inflacioni nuk është problem ekonomik, por thjesht një temë bisede. Sepse në Shqipëri, çmimet rriten çdo muaj, ndërsa apatia mbetet e qëndrueshme, pa asnjë luhatje.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit