“Ky burri është i sëmurë dhe rri në shi, ka nevojë për një strehë”

Shkruar nga: S Shtjefni | Publikuar më: 09.01.2026, 20:58

Një apel prekës ka mbërritur mbrëmjen e sotme në redaksinë tonë nga një qytetar, i cili kërkon reagimin e institucioneve për një zotëri të pastrehë që qëndron i vetëm në rrugët e Tiranës.

Sipas mesazhit të denoncuesit, personi i pastrehë ndodhet në zonën pas rrugës “Jordan Misja”, pranë institucioneve të rëndësishme si SPAK-u, Policia Bashkiake, Gjykata e Posaçme dhe burgu 313. Pavarësisht se pranë këtyre institucioneve çdo ditë kalojnë zyrtarë shtetërorë, askush nuk është përkujdesur për zotërinë e vetmuar.

Personi i pastrehë është ndihmuar vazhdimisht nga qytetarë të ndryshëm, por tashmë situata është bërë më alarmante për shkak të të ftohtit dhe reshjeve të shiut. Denoncuesi tregon se ka vendosur në dijeni shërbimet sociale dhe Policinë e Shtetit, por deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim pozitiv.

Ai apelon për ndërhyrje të menjëhershme të shërbimeve sociale, duke paralajmëruar se nëse nuk merren masa, i pastrehu mund të mos e përballojë të ftohtin e këtij dimri.

Nëse institucionet nuk do të reagojnë as tani, ashtu sikur kanë bërë deri më sot, ky zotëri do të vazhdojë ta kalojë edhe këtë natë të ftohtë i vetëm, jashtë, i lagur nga shi dhe me shëndetin që i përkeqësohet çdo ditë që kalon.

Mesazhi i plotë i mbërritur në redaksi:

Përshëndetje, nëse keni mundësi ta ndani këtë mesazh. Është një i pastrehë, i cili ka nevojë për asistencë dhe jeton në qiell të hapur. Për muaj të tërë ka qëndruar në këtë vend dhe ne e ndihmonim çdo javë me ushqime, por tashmë edhe në dimër është në qiell të hapur, kur vajta e takova sot për ti dhënë ushqim ishte totalisht i qullur dhe me vetëdije të humbur dhe i sëmurë. Shërbimi social nuk përgjigjet, jam i gatshëm ti paguaj edhe për disa muaj koston e azilit, por për momentin ai ka nevojë për shërbim mjekësor urgjent. Mora në telefon policinë e shtetit dhe mu përgjigjën që do marrin masa, edhe pse këtë kompetencë e ka Policia Bashkiake.

Personi për ironi të fatit ndodhet mbrapa rrugës Jordan Misja, ngjitur me SPAK, ngjitur me Policinë Bashkiake, ngjitur me Gjykatën e Krimeve, ngjitur me burgun 313, etj, aty ku kalojnë përditë policët, prokurorët, avokatët e të drejtës, etj, dhe askush nuk shqetësohet për këtë situatë. Nëse nuk merren masa këtë dimër vështirë që ky person ta kalojë këtë të ftohtë. Jemi bërë njerëz të pavetëdijshëm, dhe themi pse përmbytemi, ja arsyeja. Faleminderit për kohën tuaj, uroj ta postojeni anonim.

Për foto i kam marrë leje për t’ia bërë personit. Ai nuk flet dot fare, pasi e pyeta. Më përpara fliste shumë mirë dhe e kishte mendjen e kthjellët, tani është i sëmurë dhe me zor lëviz, duart dhe këmbët i ka të fryra nga kushtet që ka ndenjur në shi, nga mendja nuk është i qartë. Gjithë të mirat!

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit