Një denoncim shqetësues ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga një punonjës i Ujësjellës Kanalizime Tiranë sh.a, i cili ngre akuza serioze për mënyrën se si po trajtohen punonjësit brenda institucionit, veçanërisht pas ndryshimeve të fundit në drejtim.
Sipas denoncuesit, një numri të konsiderueshëm punonjësish u është vendosur masë disiplinore financiare, konkretisht mbajtje e pagës së një dite pune, pa paralajmërim të qartë, pa dialog dhe pa një proces transparent që respekton frymën e ligjit të punës. Vendimet, sipas tij, janë marrë në mënyrë autoritare dhe janë përdorur si mjet presioni dhe frikësimi, e jo si instrument korrigjimi apo drejtësie.
Punonjësi thekson se ekziston dokument zyrtar që provon vendosjen e këtyre masave disiplinore, dokument i cili i është vënë në dispozicion redaksisë, por nuk do të bëhet publik për të ruajtur anonimitetin dhe sigurinë e denoncuesit.
Përtej masave financiare, denoncimi ngre edhe një problem tjetër serioz: mungesën e kushteve minimale të punës. Sipas tij, punonjësit që kryejnë punë të rënda në terren nuk pajisen me uniforma apo veshje pune, duke rrezikuar drejtpërdrejt shëndetin dhe sigurinë e tyre. Po ashtu, mungojnë mjetet dhe automjetet e punës, duke i detyruar punonjësit të improvizojnë për të kryer detyrat.
Një tjetër element i përmendur në denoncim lidhet me vendime të konsideruara arbitrare nga drejtuesi i ri i UKT, Flauers Shoshi, ku sipas punonjësit, është dhënë urdhër që vetëm automjeti personal i drejtorit të parkohet brenda institucionit, ndërkohë që për punonjësit nuk merret parasysh as mënyra dhe as kushtet me të cilat ata paraqiten në punë.
Sipas denoncuesit, kjo qasje krijon një klimë frike dhe heshtjeje, ku punonjësit ndihen të pambrojtur dhe të ndëshkuar financiarisht, pa pasur as mjetet minimale për të kryer punën që u kërkohet. Ai thekson se praktika të tilla nuk duhet të normalizohen dhe se përgjegjësia për mungesat institucionale nuk mund të bjerë mbi punonjësit.
JOQ Albania e publikon këtë denoncim në interes të informimit publik dhe mbetet e hapur për një reagim apo sqarim zyrtar nga ana e Ujësjellës Kanalizime Tiranë sh.a apo drejtuesve të tij, për të hedhur dritë mbi këto shqetësime.
DENONCIMI I PLOTË I PUNONJËSIT:
“Përshëndetje JOQ, po ju shkruaj për të denoncuar publikisht një praktikë abuzive dhe ndëshkuese ndaj punonjësve, që po ndodh në një institucionin e Ujësjellës Kanalizime Tiranë sh.a.
Një numri të madh punonjësish i është vendosur masë disiplinore financiare – mbajtje e pagës së një dite pune, pa paralajmërim real, pa dialog dhe pa respektuar frymën e ligjit të punës. Vendimi është marrë në mënyrë autoritariste, si formë presioni dhe frikësimi, jo për korrigjim apo drejtësi.
Punonjësit trajtohen si numra, jo si njerëz: – masa jepen direkt, – paga përdoret si mjet ndëshkimi, – çdo situatë interpretohet në dëm të punëmarrësit.
Kjo nuk është menaxhim, por abuzim administrativ. Kjo nuk është disiplinë, por presion psikologjik dhe financiar.
Vendime të tilla krijojnë klimë frike dhe heshtjeje, ku askush nuk guxon të flasë, sepse rrezikon rrogën. Dhe pikërisht për këtë arsye po ju shkruaj juve. Ekziston dokument zyrtar që e provon këtë rast.
Përveç vendosjes së masave disiplinore financiare, ky institucion NUK ofron as kushtet minimale të punës për punonjësit e tij. Punonjësit e terrenit nuk pajisen me uniforma apo veshje pune, mungojnë mjetet dhe makinat e punës, dhe punonjësit detyrohen të improvizojnë.
Ndërkohë, drejtori i ri ka dhënë urdhër arbitrar që vetëm makina e tij personale të parkohet brenda institucionit, ndërsa për punonjësit “nuk ka rëndësi” me çfarë mjeti vijnë në punë.
Kjo nuk është thjesht keqmenaxhim — është abuzim me pushtetin dhe dinjitetin njerëzor.
Po e ndaj këtë rast publikisht sepse këto gjëra nuk duhet të normalizohen. Punonjësit nuk janë fajtorë dhe nuk janë për t’u ndëshkuar sipas qejfit.
Ju lutem bëjeni publik këtë rast.”