Edhe pse kanë kaluar tre ditë nga përmbytjet masive që përfshinë vendin, situata vijon të mbetet problematike në disa zona të Shqipërisë. Në fshatin Miliskaj të Thumanës, bashkia Krujë, një banor ka denoncuar se shtëpia e tij prej ditësh është e mbuluar nga uji.
Sipas tij, niveli i ujit brenda banesës ka arritur deri në rreth 1.5 metra në kulmin e përmbytjes, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale. Edhe sot shtëpia vijon të jetë e mbushur me ujë, ndërsa familja përballet me pasiguri dhe mungesë mbështetjeje.
Në mesazhin e dërguar, qytetari shprehet se askush nga institucionet nuk është paraqitur për të verifikuar situatën apo për të ofruar ndihmë.
“Përshëndetje, a ka mundësi ta postosh këtë video në fshatin Miliskaj të Thumanës në bashkinë e Krujës. Kemi 3 ditë në ujë dhe askush nuk ka ardhur të na japë zgjedhje,” shkruan qytetari.
Pamjet e dërguara tregojnë qartë përmbytjen brenda banesës, ndërsa banorët i bëjnë apel autoriteteve për ndërhyrje urgjente dhe mbështetje. Ata kërkojnë jo vetëm ndihmë të menjëhershme, por edhe masa afatgjata për përmirësimin e infrastrukturës, në mënyrë që situata të tilla të mos përsëriten.