Pas denoncimit në JOQ, ‘zgjohet’ Policia e Gjirokastrës: Proçedohet penalisht 60-vjeçari që goditi qenin me sëpatë

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 09.01.2026, 18:41

Vetëm pak ditë më parë, në redaksinë e JOQ Albania mbërritën pamje tronditëse të një qeni të masakruar, për të cilin denoncuesi pretendonte se ishte goditur me sëpatë deri në vdekje nga një person i identifikuar si Rahmi Cela.

Sipas pronarit të kafshës, pavarësisht se pas ngjarjes ishte kontaktuar policia, autori i dyshuar ishte mbajtur vetëm 3–4 orë në ambientet e policisë dhe më pas ishte lënë i lirë, pa asnjë masë konkrete. Kjo situatë ka shkaktuar indinjatë të fortë, jo vetëm për aktin e dhunës ndaj kafshës, por edhe për mënyrën se si u trajtua fillimisht nga institucionet.

I zhgënjyer nga mungesa e reagimit të duhur, pronari iu drejtua JOQ Albania, duke denoncuar publikisht dhunën e ushtruar ndaj qenit dhe neglizhencën institucionale.

Reagimi i Policisë: Në lidhje me një denoncim të publikuar në portalin JOQ, për goditjen e një qeni, me sëpatë, në fshatin Kolonjë, ju informojmë se:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, menjëherë pas marrjes dijeni për rastin, kanë shoqëruar në ambientet e Policisë shtetasit R. Ç., 60 vjeç, P. K., 43 vjeç dhe djalin e tij 16 vjeç. Në përfundim të veprimeve procedurale-hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin R. Ç., 60 vjeç, banues në fshatin Medar, për veprën penale "Keqtrajtimi i kafshës", pasi dyshohet se ka goditur me send të fortë (sëpatë), qenin e shtetasit P. K.. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit