Pas qindra denoncimeve të publikuara ndër vite nga JOQ Albania, Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka dërguar për gjykim kryetarin e Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, si dhe gjashtë persona të tjerë, të akuzuar për shkelje të barazisë në tendera.
Sipas SPAK, procedimi penal lidhet me një tender të zhvilluar nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH), me objekt “Zhvillimi Strategjik i Sektorit Energjitik (Projekt Kërkimor)”, me fond limit rreth 69.5 milionë lekë. Hetimet kanë zbuluar se gjatë kësaj procedure janë kryer veprime të kundërligjshme në përllogaritjen e fondit limit, hartimin e termave të referencës, përcaktimin e kritereve dhe vlerësimin e ofertave.
Në cilësinë e administratorit të KESH, Benet Beci, në bashkëpunim me anëtarët e njësisë së prokurimit dhe Komisionin e Vlerësimit të Ofertave, ka paracaktuar dhe krijuar avantazhe të padrejta për shoqërinë fituese “Consulting & Management Albania” sh.p.k., duke shkelur ligjin për prokurimin publik, njofton SPAK.
Të pandehur në këtë çështje janë edhe Adela Ruko, Edlira Mitrushi, Jonid Kazani, Yllka Nishku, Premtim Dauti dhe Rudin Gjoni. Adela Ruko është bashkëshortja e ish-kreut të ARRSH, Evis Berberi, telefoni i të cilit ka qenë një nga provat kyçe të hetimit, ku janë zbuluar edhe shkelje të tjera në tendera, përfshirë ato për të cilat akuzohet edhe zëvendëskryeministrja Belinda Balluku.
Kujtohet se Benet Beci është thirrur disa herë në SPAK për këtë çështje. Herën e fundit, më 19 dhjetor, ai qëndroi rreth dy orë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, pa bërë asnjë koment për mediat.