Një qytetar që udhëtonte pasditen e sotme në aksin Prrenjas–Qafë Thanë i është drejtuar redaksisë për të denoncuar gjendjen e rrugës, e cila sipas tij nuk është pastruar nga dëbora dhe akulli.
Ai ka dërguar pamje ku shihet se karrexhata është e mbuluar nga akulli, ndërsa thekson se pavarësisht përdorimit të zinxhirëve dhe gomave dimërore, automjeti rrëshqet vazhdimisht.
Sipas denoncuesit, në rrugë është krijuar “akull i zi” dhe nuk është parë asnjë mjet borëpastrues në punë.
“Përshëndetje! Dua të shpreh një shqetësim për rrugën e re Qafë–Thanë, sepse nuk ka asnjë borëpastruese dhe, siç shihet në video, rruga është akull i zi,” shkruan ai.
Pamjet pasqyrojnë qartë situatën problematike në këtë aks rrugor, ndërsa apeli shkon për drejtuesit e automjeteve që të lëvizin me kujdes të shtuar për të shmangur aksidentet.