Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen penale në ngarkim të shtetasve Maksim Ndoci dhe Juljan Kollçaku, të akuzuar për trafikim ndërkombëtar të lëndëve narkotike në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Sipas SPAK, dy të pandehurit dyshohet se kanë qenë të përfshirë në trafikimin e qindra kilogramëve kokainë drejt Italisë, në episode të ndryshme dhe të organizuara, duke bashkëpunuar me rrjete kriminale që operonin në disa shtete.
Nga hetimet rezulton se për të pandehurin Maksim Ndoci është provuar përfshirja aktive në rikuperimin e mbi 140 kilogramëve kokainë neto, të sekuestruar më 2 mars 2022 në portin e Livornos. Gjithashtu, ai ka pasur një rol të rëndësishëm edhe në tentativën për të rikuperuar një tjetër ngarkesë prej rreth 120 kilogramësh kokainë bruto, e ardhur nga Ekuadori më 11 janar 2022.
Ndërkohë, për Juljan Kollçakun, SPAK bën me dije se është provuar përfshirja në trafikimin e mbi 489 kilogramëve kokainë bruto, të mbërritur në portin e Livornos më 14 mars 2022, ngarkesë e cila u sekuestrua më 5 prill 2022 në Frattamaggiore (Napoli). Ai akuzohet gjithashtu për importimin e një sasie prej 32 kilogramësh kokainë, nga e cila u sekuestruan mbi 4 kilogramë neto më 30 qershor 2022 në Ostia.
Procedimi penal në Shqipëri ka nisur mbi bazën e një kërkese për ndihmë juridike nga autoritetet gjyqësore italiane, konkretisht nga Prokuroria e Republikës pranë Gjykatës së Firences Drejtoria Distriktuale Antimafia, në kuadër të një procedimi penal me nr. 9740/21 RGNR mod.21.
Sipas autoriteteve italiane, hetimi kishte në fokus një aktivitet të gjerë të trafikimit të kokainës, të drejtuar nga një grup kriminal i organizuar, ku përfshiheshin edhe shtetas shqiptarë. Aktiviteti kriminal shtrihej në Shqipëri (Durrës, Tiranë), Amerikën Latine (Ekuador dhe Panama), si dhe në disa zona të Italisë, përfshirë provincat e Pizës, Piemontes dhe Trevizos.
Hetimet në Itali nisën pas një kontrolli të kryer nga Guardia di Finanza e Livornos, në periudhën 7–9 mars 2021, gjatë të cilit u identifikuan shtetas me origjinë shqiptare, të kapur në flagrancë gjatë operacioneve për nxjerrjen e një ngarkese kokaine të ardhur nga Amerika Latine, në portin e Labronikos (Livorno).
SPAK thekson se dosja përfaqëson një tjetër rast të bashkëpunimit të ngushtë ndërkombëtar kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të lëndëve narkotike, ndërsa pritet që gjykata të shqyrtojë akuzat ndaj dy të pandehurve në fazën e gjykimit.