Sot, Franc Gergely Çopja, i njohur si “Çopja”, së bashku me tetë të tjerë, u paraqitën para Gjykatës së Krimeve të Rënda të Brukselit për t’u gjykuar lidhur me vrasjen e Ardit Spahiut, i cili u qëllua për vdekje në mesditë në Sint-Jans-Molenbeek.
Media belge Le Soir thekson se Çopja njihet gjerësisht jashtë kufijve të gjykatës. Ai është pjesë e një klani të drejtuar nga vetë ai dhe vëllai i tij Hajdar Çopja, të cilët vetëm gjatë vitit 2020 importuan mbi 28 ton kokainë nga Amerika Latine drejt Evropës. Sot, Franc Gergely po gjykohet si porositësi kryesor i vrasjes, ndërsa bashkëpunëtori i tij, Mikael Qosja, është ende në arrati. Të dy jetonin në atë kohë në Dubai, duke përdorur identitete të shumta për të menaxhuar aktivitetet e tyre kriminale larg syrit të autoriteteve. Klani kishte investuar masivisht në pasuri të paluajtshme në Tiranë dhe Elbasan, duke blerë apartamente, ndërtesa, bare dhe restorante, me qëllim pastrimin e parave dhe prezantimin si investitorë të rëndësishëm rajonalë.
Në sallën e gjyqit, Franc Çopja, rreth të tridhjetave, tërhoqi të gjithë vëmendjen. Përballë jurisë së përbërë nga gjashtë gra dhe gjashtë burra, ai deklaroi identitetin e tij me tone të ashpra: “Jam shqiptar dhe agjent imobiliar.” Klani i tij importoi mbi 28 ton kokainë në Evropë në vitin 2020.
Presidentja e gjykatës, Isabelle De Saedeleer, vendosi të mos ndajë çështjen dhe të mos shtyjë procesin, i cili do të zhvillohet sipas planit. Nëntë persona po gjykohen për një nga vrasjet e para me përmasa ndërkombëtare në Belgjikë lidhur me narkotrafikun, por vetëm pesë prej tyre janë fizikisht të pranishëm në sallë.
Endrit Sadedini mungoi në seancë. Avokati i tij, Michel Bouchat, shpjegoi se klienti ndodhet i paraburgosur në Shqipëri që nga 19 shkurti dhe kërkoi ndarjen e dosjes për shqyrtim të mëvonshëm, duke përmendur forcë madhore. Megjithatë, gjykata refuzoi kërkesën dhe vendosi që gjyqi të vazhdojë sipas planit. Sadedini ishte më parë i dënuar në Shqipëri me tre vjet e katër muaj burg për mbajtje arme zjarri. Në Belgjikë, prokuroria e dyshon si një nga tre ekzekutorët e vrasjes.
Vrasja e Ardit Spahiut ndodhi më 27 nëntor 2020, kur ai po udhëtonte si pasagjer në një automjet. Fillimisht u arratis, por u ndoq dhe u qëllua nga dy persona të maskuar. Hetimi mori hov pas dekriptimit të platformës SKY ECC, duke identifikuar nëntë të dyshuar, përfshirë Franc Gergelyn, figurë kyçe e klanit Çopja. Sipas policisë federale belge, klani vepronte nga Dubai dhe merrej me trafik kokaine nga Amerika e Jugut në Evropë.
Ardit Spahiu nuk ishte i panjohur për botën kriminale. Ai kishte përfshirje në trafikun e drogës dhe ishte arrestuar më 2010 nën dyshimin për vrasje në Elbasan. Spahiu i përkiste klanit Alibej, në konflikt të gjatë me klanin Çopja. Dhuna u përshkallëzua pas vjedhjes së 49 kilogramëve kokainë nga një apartament i klanit Çopja në Londër. Vrasja e Spahiut, i arratisur në Belgjikë që nga 2019 për frikë për jetën, shihet si vazhdim i këtij konflikti.