Sot do të kujtojmë një nga tenderët më të diskutueshëm të viteve të fundit në Tiranë, atë për sigurinë e shkollave, me vlerë 3.4 milionë euro. Më 24 dhjetor 2019, Bashkia e Tiranës me kryetar Erion Veliajn shpalli fitues bashkimin e kompanive “Global Security” sh.p.k, “Elektrosek” sh.p.k dhe “Port Construction” sh.p.k, me kompaninë “Global Security” si përfaqësuese kryesore. Tenderi kishte si objekt “Shërbime të integruara sigurie për godinat, institucionet e arsimit parashkollor e shkollor dhe institucionet e tjera të Bashkisë Tiranë”, por u zhvillua pa garë reale, me ofertues të vetëm dhe në vlerën limit, duke ngritur menjëherë dyshime për transparencën dhe korrektësinë e procedurës.
Problemi u thellua edhe nga mosplotësimi i kritereve ligjore nga kompanitë pjesëmarrëse. Referuar regjistrit kombëtar të licencave: “Global Security” dispononte licencë të kategorisë 1.3.A të vitit 2016, “Port Construction” licencë të vitit 2017, ndërsa “Elektrosek” nuk kishte fare licencë të kategorisë së kërkuar. Sipas VKM-së nr. 914/2014 dhe dokumenteve standarde të tenderit, kompanitë duhet të kishin licencë të kategorisë 1.3.A jo më parë se viti 2019, që do të thotë se askush prej tyre nuk duhet të pranohej në konkurrim, por fitues u shpallën të treja, me “Global Security” në krye.
Ironia më e madhe lidhet me pronësinë e kompanisë kryesore. Pak javë para tenderit, Agron Malaj, asokohe kryebashkiaku i Matit, gardisti i “Grupit të Zjarrit” të 21 Shtatorit, transferoi të gjitha aksionet e kompanisë “Global Security” në pronësi të vëllait të tij, Fatos Malaj, duke i hapur rrugë që kompania të paracaktohej si fituese e tenderëve publikë. Një kombinim i “shumë miliona eurove, pak kritereve dhe një familjeje të përgatitur mirë” që tregon sesi fondet publike shpesh nuk shkojnë tek shkollat, por tek xhepat e caktuar dhe ligji duket se ishte vetëm një detaj dekorativ për këtë rast.