Një situatë tepër alarmante është raportuar nga fshati Maleshovë, në bashkinë e Përmetit, ku si pasojë e reshjeve të fundit është shënuar një rrëshqitje masive dheu. Banorët tregojnë për “JOQ Albania” se fenomeni është përhapur në një sipërfaqe të gjerë dhe po përkeqësohet nga dita në ditë.
Sipas denoncimit të një banori të zonës, aktualisht tetë banesa ndodhen në rrezik të menjëhershëm, ndërsa në tre prej tyre jetojnë familje ku rrëshqitja e dheut ka arritur vetëm një metër larg themeleve të shtëpive. Ai thotë se është krijuar një humnerë rreth 300 metra e gjatë dhe mbi 40 metra e thellë, e cila po zgjerohet vazhdimisht, duke shkaktuar lëkundje të forta të banesave dhe duke rritur frikën për shembje.
“Kjo situatë është jashtëzakonisht alarmante dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet përgjegjëse, për verifikim në terren, evakuim të banorëve dhe marrje masash emergjente, përpara se të humbasë ndonjë jetë njerëzore. Ju lutemi, mos e neglizhoni këtë thirrje. Jeta e familjeve tona është në rrezik. Me respekt, një banor i fshatit Maleshovë, Përmet. Kjo është një mjekim nga mjeku specialist qe shkova me urgjencë,” shkruan ai.
Banorët tregojnë se kanë mbetur të bllokuar dhe për të shkuar në spital, ndërsa kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet shtetërore dhe vendore për evakuim të mundshëm të familjeve të rrezikuara dhe marrjen e masave emergjente për stabilizimin e zonës.
Situata është tepër e rrezikshme, dhe kërkon ndërhyrje për të shmangur pasojat fatale në jetë njerëzish.