Një tjetër dosje e bujshme po përgatitet për t’u dërguar në SPAK. Ashtu siç ka ndodhur shpesh me ndërtimin e veprave të mëdha publike në Shqipëri, edhe Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës – një aset tejet strategjik për vendin dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e jugut po shoqërohet nga dyshime serioze mbi mënyrën e financimit dhe administrimit të tij.
Veprimet e fundit të kompanive ndërtuese, të cilat përfituan një koncesion të majmë “në tavolinë” nga qeveria, kanë ngritur pikëpyetje të forta mbi gjithë funksionimin e projektit, duke shtuar frikën se kjo vepër mund të përfundojë në “duar të gabuara”. Të dhënat e siguruara tregojnë se koncesioni iu dha fillimisht kompanisë së biznesmenit kontrovers Behgjet Pacolli, në bashkëpunim me një firmë turke, e lidhur drejtpërdrejt me ndërtimin e Tunelit të Llogarasë.
Më pas, pala turke u tërhoq, duke ia kaluar aksionet me dokumente kompanisë së Pacollit. Por më shqetësuese sesa ky ndryshim pronësie janë veprimet e “Mabco Constructions”, e cila, pasi kishte siguruar një kredi të konsiderueshme në Bankën Kombëtare Tregtare, kontraktoi një kredi të dytë, shumë herë më të lartë, këtë herë nga një bankë në Luksemburg.
Në të dy rastet, si kolateral janë vendosur aksionet e Aeroportit të Vlorës, një pasuri strategjike kombëtare. Ndërsa pronësia e BKT-së është e njohur dhe lidhet me kapital turk, mbetet e paqartë se kush qëndron pas bankës në Luksemburg që ka dhënë kredinë e dytë. Kjo ngre dyshime serioze mbi transparencën dhe sigurinë e këtij operacioni financiar.
Këto lëvizje të dyshimta kërkojnë patjetër një hetim të thelluar, pasi bëhet fjalë për një vepër me rëndësi të veçantë, pronari real i së cilës është shteti shqiptar. Marrëveshje të tilla rrezikojnë drejtpërdrejt interesat e shtetit, sepse në rast mospagese të kredive apo përplasjesh mes aksionerëve, lind pyetja thelbësore: kush e merr kontrollin e aeroportit?
Sipas një vendimi të Gjykatës së Tiranës, janë ngrirë 47% e aksioneve, ndërsa në arsyetimin e saj gjykata përdor formulime tejet alarmante. Pretendohet se projekti i është “shitur” në mënyrë të paligjshme një huadhënësi të panjohur nga “Mabco Constructions SA”, duke vënë në rrezik jo vetëm projektin, por potencialisht edhe sigurinë kombëtare. Përfituesi fundor i këtyre veprimeve mbetet ende i paidentifikuar.
Edhe pse marrëveshja paraqitet formalisht si kontratë huaje mes “Mabco Constructions SA” dhe “Delphos Securities SARL”, në thelb ajo nuk ka tiparet e një kredie bankare klasike, por synon marrjen e kontrollit ekonomik dhe operacional të aeroportit përmes instrumenteve të borxhit.
Gjykata konstaton gjithashtu ekzistencën e disa akteve shitblerjeje për 47% të kuotave nga “Mabco Constructions SA” te “2A Group sh.p.k.”, të cilat kanë prodhuar një raport aksionesh 49%–51% në favor të Mabco-s, por që nuk janë pasqyruar dhe reflektuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Në këtë kontekst lind edhe një tjetër pikëpyetje e rëndë: nëse Behgjet Pacolli ka marrë një kredi rreth 100 milionë euro në Luksemburg, për të cilën vetë ortaku i tij ka ngritur dyshime mbi origjinën, ku kanë përfunduar realisht këto para në vitin 2023?
Disa javë më parë u publikua një dokument që tregon se koncesionari i Aeroportit të Vlorës ka marrë një kredi prej 56 milionë eurosh nga BKT. Ka dyshime serioze se këto fonde mund të kenë përfunduar te kompania turke, e cila fillimisht ishte bashkëaksionere, por u largua pa kryer asnjë punim konkret në terren.
Sipas dokumentacionit, më 23 mars 2023 është nënshkruar një marrëveshje siguruese mbi kuotat e shoqërisë koncesionare. Barrëmarrëse është BKT-ja, ndërsa barrëdhënës “Mabco Constructions” dhe “2A Group sh.p.k.”. Kredia prej 56 milionë eurosh është marrë nga shoqëria “Vlora International Airport – VIA sh.p.k.” për realizimin e projektit të aeroportit, bazuar në kontratën e koncesionit të lidhur më 24 prill 2021.
Sipas VoxNews pavarësisht se në kontratën e kredisë përmendet edhe firma turke, fakt është se ajo është larguar nga struktura aksionare që në shtator 2022, duke ia shitur aksionet MABCO Constructions, e cila zotëroi përkohësisht deri në 98% të tyre, ndërsa 2A Group mbeti me vetëm 2%.
Aktualisht, Prokuroria e Tiranës ka nisur një hetim penal për çështjen e aksioneve, ndërsa kompania 2A pretendon se zotëron realisht 49% të kuotave dhe se pala turke nuk ka kontribuar me asnjë punim real në projekt.