Milionat e Unazës së Madhe, kontrolle te Alko Impex i Abazit, miku i Ballukut!

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 09.01.2026, 12:54

Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka ushtruar sot kontrolle në kuadër të hetimeve ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku, duke përfshirë banesën dhe zyrën e Arbër Abazit, pronarit të kompanisë Alko Impex dhe nipit të ish-deputetit socialist Sadri Abazi.

Ai është gjithashtu i lidhur familjarisht me Ballukun, pasi bashkëjeton me vajzën e tezës së saj. Kontrollet lidhen kryesisht me procedurat e dyshuara për tenderat e loteve të Unazës së Madhe të Tiranës, ku dyshohet se janë kryer shkelje ligjore dhe favore të dyshimta ndaj bizneseve të përfshira.

Nga hetimi rezulton se për ndërtimin e Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7, fitues është shpallur bashkimi i operatorëve ekonomikë ‘Alko-Impex General Construction&2T’ sh.p.k. Prokuroria e Posaçme ka dërguar në Kuvend një kërkesë për heqjen e imunitetit të Ballukut, për t’i hapur rrugë arrestimit të saj, ndërsa hetimet ndaj Arbër Abazit dhe ndikimit të tij në tendera mbeten në fokus të SPAK.

Arbër Abazi, pronar i kompanive Alko Impex, akuzohet për përfitime të jashtëligjshme nga tenderët e Unazës së Madhe, duke përfituar mbi 80 milionë euro nga paratë publike gjatë 7 viteve të fundit, shpesh përmes procedurash pa garë reale dhe me paracaktim. Lidhjet e tij familjare me deputetë si Sadri Abazi dhe ndikimi mbi zyrtarë e drejtorë, sipas denoncimeve, kanë lejuar monopolizimin e tenderave dhe shpërndarje të parave në nivele të larta pushteti. Procedurat e ARRSH, sipas hetimeve, janë manipuluar në favor të kompanive të Abazit, duke dëmtuar konkurrencën dhe interesin publik.

SPAK vijon hetimet ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku, e pandehur për tenderin 190 mln euro të Tunelit të Llogarasë dhe nën hetim për 10 procedura të tjera. Sot, SPAK ka ushtruar kontrolle dhe ka sekuestruar materiale nga biznese të lidhura me tenderat e Unazës së Madhe, një projekt prej 450 mln eurosh, duke hetuar 7 lote të tij.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit