Katër fshatra të izoluar nga përmbytjet në Novoselë, uji arrin deri në 1 metër banorët nuk dalin dot nga banesat

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 09.01.2026, 11:29

Fshati Bishan është përfshirë nga përmbytjet pas reshjeve të fundit, ku gjatë natës uji ka depërtuar në banesa duke arritur deri në 1 metër thellësi, e në disa raste edhe më shumë. Rruga kryesore që lidh fshatin me zonat përreth është bllokuar, duke lënë të izoluar katër fshatra.

Banorët tregojnë se uji ka hyrë masivisht në shtëpitë e tyre. Një qytetar ka mbetur i bllokuar në banesë për shkak të nivelit të lartë të ujit. “Nuk dal dot nga banesa, uji ka arritur në 1 metër. Brenda në shtëpi hyri shumë ujë, por e pastruam. Nuk kemi fjetur gjithë natën”, shprehet ai.

Të tjerë banorë shprehin shqetësim të madh për bagëtitë, pasi përmbytja ka shkatërruar edhe ushqimet për to. “Për të kaluar rrugën po përdor zetorin. Kam bagëti që i kam nxjerrë në fshat dhe dua t’u çoj ushqim, por nuk kaloj dot. Nuk kam as ujë për të pirë për veten. Nuk po mendoj për dëmet në shtëpi, por për gjënë e gjallë. Nuk kam me çfarë t’i ushqej, pasi bari është i mbuluar nga uji”, thotë një banor.

Një tjetër qytetar pohon se të gjitha tokat bujqësore të fshatit Bishan janë përmbytur dhe se shumë shpendë kanë ngordhur. “Uji erdhi me shpejtësi. Dola menjëherë për të shpëtuar pulat, por nga shtëpia ime nuk mund të kalohet me mjet”, shprehet ai.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit