Një tregtare e zonës së 5 Majit, e cila pësoi dëme të mëdha nga zjarri që shkatërroi kapanonet, ka ngritur akuza të forta ndaj shërbimit zjarrfikës dhe mënyrës së menaxhimit të emergjencës.
Sipas saj, mjetet dhe pajisjet e përdorura janë jashtë standardeve dhe të vjetruara, duke theksuar se Shqipëria nuk mund të pretendonte integrim në Bashkimin Evropian nëse emergjencat përballohen me zjarrfikëse të viteve ’80 dhe ’90. Tregtarja pohon se disa kapanone mund të ishin shpëtuar, pasi kur mbërriti në vendngjarje, flakët ende nuk i kishin përfshirë ato.
Në një tjetër pikë kritike, ajo vë në dukje mungesën e ndërhyrjes së policisë, që sipas saj nuk ka ndihmuar tregtarët, por ka qëndruar duke vëzhguar situatën, duke i trajtuar si të ishin kriminelë. Sipas dëshmisë së saj, zjarri përhapet nga lart dhe përfshiu më pas dy kapanonet, duke shkaktuar dëme të mëdha dhe duke nxjerrë në pah paaftësinë e institucioneve për të menaxhuar emergjencën në kohë.
“Zjarrfikësit jashtë standardit, ne do të hyjmë në Evropë me zjarrfikëse të viteve ‘80 dhe ‘90. Nuk e di se çfarë aparaturash marrin këto emergjencat për të shuar zjarrin. Shumë dëme. Jam një nga më të dëmtuarat. Këto kapanone mund të ishin shpëtuar. Kur kam ardhur unë të dy kapanonet nuk ishin në zjarr. Ka kaluar zjarri nga lart dhe kanë marrë dy kapanonet. Ishte edhe policia, bënte sehir. Na mbante neve sikur ishim kriminel.”, u shpreh tregtarja.